Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Deputetet harrojne kutite postare

Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-14-2008

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë harrojnë të hapin kutitë e tyre postare, ku u mbërrijnë letrat nga populli që i ka zgjedhur. Në katin e parë të Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, në një korridor, ndodhen kutitë postare të të gjithë deputetëve shqiptarë. Shumica e tyre janë plot me zarfe dhe letra të palexuara. Ka nga ata deputetë që nuk harrojnë të kontrollojnë "hallet" e elektoratit që i ka zgjedhur, por ka edhe nga ata që janë shumë të zënë. Dhe kutia postare e tyre nuk mban më.

"Fiks Fare" shkoi dhjetë ditë më parë dhe filmoi të gjitha kutitë postare të deputetëve. Në kutinë postare të Kryeministrit të vendit, zotit Sali Berisha, kishte 5 zarfe të pahapura. Një javë më pas, gjendja ishte e njëjtë. Kryeministri nuk i kishte lexuar letrat, pra nuk është njohur me hallet dhe problemet e atyre që e kanë zgjedhur. Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kalojnë çdo ditë para këtyre kutive, ku ndodhen letrat e njerëzve, të cilët u kanë besuar votën dhe nuk kujtohen as t‘u hedhin një sy.

Kutia e deputetit të PS-së në zonën e Mallakastrës (zona nr. 70), z. Blendi Klosi, e cila mban numrin 63 në raftet e kutive postare, është e tejmbushur me letra, madje edhe me dosje. Gjatë 10 ditëve, ai nuk e ka hapur asnjëherë postën.

Pamja e kutisë postare të Kryeministrit Berisha është e paprekur gjatë periudhës që kamera e "Fiks Fare" ka kryer vëzhgimin. Sikurse dallohet edhe nga fotografitë, kutia e tij postare për 10 ditë nuk është prekur nga askush, madje as edhe letrat brenda saj.

Letrat e zgjedhëseve, të depozituara në kutinë postare të deputetit të PD-së, z. Flori Bajramaj, deputet i zonës 27 në Durrës, e cila mban numrin 3, duket se janë lënë pas dore. Dallohet qartë që posta ka mbi dy javë e patërhequr.

Deputetët, të cilët nuk i kanë kthyer përgjigje elektoratit të tyre për një periudhë të gjatë kohe (nisur nga numri i madh i letrave në kutitë postare), duket se janë Arben Isaraj, deputet i PS-së në Vlorë (zona 95), Pal Dajçi, deputet i PD-së në Kurbin (zona 17) dhe Marko Bello, deputet i PS-së në Berat (zona 76).

Kutitë e tyre postare janë mbushur kaq shumë me letra ankesash dhe dosje, saqë duket se pa u zbrazur, nuk mund të futet më asnjë letër tjetër. Madje, po të duash mund të marrësh edhe ndonjë prej letrave, nëse fut dorën në hapësirën boshe të kutive të tyre postare, sepse kaq shumë janë mbushur ato...

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!