Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Shqiperia, kryetare e Organizates se Detit te Zi

Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-14-2008

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, prezent në ceremoninë e dorëzimit

Shqipëria nisi zyrtarisht kryesinë e radhës së Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), bëri të ditur të martën zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Sekretariatin e Përhershëm të Organizatës në Stamboll, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, prezantoi prioritetet e kryesisë shqiptare, si dhe kalendarin e aktiviteteve të parashikuara që mbahen gjatë kësaj periudhe. Në këtë kuadër ai tha se "tre shtyllat kryesore ku mbështeten prioritetet e kryesisë së Shqipërisë janë: vazhdimi i reformave strukturore të organizatës, kultivimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit me aktorët ndërkombëtarë si BE dhe OKB, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes vendeve anëtare të organizatës në nivel sektorial". Ministri Basha vuri në dukje vullnetin dhe gatishmërinë e plotë të Shqipërisë për të realizuar një Presidencë të suksesshme, bazuar në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare në fushat prioritare si transporti, energjia, turizmi, kultura, mbrojtja e mjedisit, bujqësia etj.



Për realizimin e këtyre prioriteteve, kalendari i Presidencës shqiptare të BEDZ-it përmban më shumë se 55 aktivitete si: takime të ministrave të Jashtëm, të ministrave të Energjisë e të Turizmit, konferenca ndërkombëtare, takime të grupeve të punës, seminare, ekspozita etj., një pjesë e të cilave janë parashikuar të mbahen në Shqipëri. Lehtësimi i lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve nëpërmjet uljes dhe eliminimit të barrierave administrative të tilla si vizat dhe lejet bilaterale të transportit rrugor, do jenë në vëmendje të Presidencës shqiptare, theksoi ministri Basha. Gjatë qëndrimit në Stamboll, Basha u takua me Martin Marmy, sekretar i Përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar të Transportit Rrugor (IRU) dhe me Leonadis Chrysanthopoulos, sekretar i Përgjithshëm i Sekretariatit të Përhershëm të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!