Gazeta Shqiptarelajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online |
|
- Publikimi...
Rreth lajmit...
- Titulli: Berisha, 54 dite pa zv/kryeminister
Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-14-2008
- Lajmi...
Berisha, 54 dite pa zv/kryeminister
Juristët: Në mungesë të Kryeministrit, qeveria në dorë të Gjergj Lezhjes
Qeveria "Berisha" 54 ditë pa zv/kryeministër. Kanë kaluar afro 2 muaj nga dita kur Kryeministri Sali Berisha ka larguar nga detyra e zëvendësit të tij, Gazmend Oketën për ta emëruar atë në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Pas shumë tentativash dhe negociatash mes të vetëve dhe aleatëve, kreu i ekzekutivit nuk po zgjedh dot personin e duhur për ta ulur në karrigen e numrit dy të qeverisë. Vakumet që kanë ligjet tona nuk e pengojnë Kryeministrin, që ta mbajë këtë pozicion pezull deri në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës, pasi në ligj nuk është i përcaktuar afati se për sa kohë duhet të qëndrojë një qeveri pa një zv/kryeministër. Kreu i mazhorancës është duke pritur momentin e duhur për të bërë reformë edhe në institucionin që ai vetë drejton. Me gjithë premtimin se emri i pasuesit të Gazmend Oketës do të bëhet publik shumë shpejt, Berisha duket se ka ‘dështuar‘ në tratativat për të emëruar njeriun që do të ulet afër tij në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Dilema për të ulur në karrigen e numrit dy të qeverisë një njeri nga kampi i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit, apo një nga njerëzit e Presidentit të Republikës, Bamir Topit, duket se ka trembur Kryeministrin Berisha për të mos lëkundur balancat e krijuara brenda PD-së. Nga ana tjetër, aleatët e tij shprehen kundër pozicionimit të tyre në karrigen e zv/kryeministrit, për motivin e vetëm se duan një post me portofol dhe jo pa portofol siç është ai që është drejtuar që nga zgjedhjet e 2005-ës nga Ilir Rusmali dhe Gazmend Oketa. Aleatët kërkojnë të mbajnë nën administrim poste ministrore për të rregulluar elektoratin e tyre në drejtori të rëndësishme të administratës.
Juristët
Konkretisht, në bazën ligjore nuk është e përcaktuar që për sa kohë duhet të qëndrojë vakant një post ministror apo zv/kryeministror. Nuk ka një afat që brenda 30 ditësh duhet të zgjidhet zv/kryeministri i ri apo një ministër i ri. "Mund të japin edhe tre ministra dorëheqjen njëkohësisht dhe Kryeministri mund t‘i mbajë për një kohë të gjatë këto ministri të drejtuara nga zv/ministrat. Nuk është e përcaktuar në ligj që të ketë një afat limit për të zgjedhur pasardhësin e një ‘x‘ ministri apo të ‘y‘ zv/kryeministri. Mundësia e vetme për të zgjidhur këtë ngërç që nuk është përcaktuar ashtu siç duhet në Kushtetutë është mocioni i deputetëve të Kuvendit ndaj qeverisë", thotë kreu i grupit kuvendor republikan dhe juristi Arjan Madhi. Një tjetër jurist i legjislativit tonë, deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, shprehet se mungesa e zv/kryeministrit bëhet pengesë vetëm në rastet e mbledhjes së qeverisë, të cilat nuk mund të drejtohen nga Kryeministri për shkak të ndonjë udhëtimi jashtë vendit, apo për shkak të arsyeve shëndetësore. Sipas Peçit, Në mungesë të Berishës, selia e Kryeministrisë drejtohet nga sekretari i Përgjithshëm. Por, telashet për kabinetin "Berisha" nuk kanë të sosur, pasi përveç zëvendësuesit të Berishës, aleatët e PD kërkojnë largimin e njëri-tjetrit nga qeveria, ashtu siç po veprojnë kohën e fundit demokristianët. Që pas mbledhjes së fundit të kryesisë së PD-së më 20 mars, ku është propozuar Gazmend Oketa në detyrën e ministrit të Mbrojtjes dhe ka lënë detyrën e zv/kryeministrit, posti i këtij të fundit vazhdon të jetë vakant, në kërkim të një emri, që Berisha nuk po arrin ta gjejë dot për të plotësuar kabinetin e tij, mungesa e zv/kryeministrit ka ngrirë marrëdhëniet qeveri-Parlament. Posti i numrit dy të qeverisë ka si qëllim të bëjë rolin e interlokutorit mes ekzekutivit dhe legjislativit.
- Opinioni juaj...