Gazeta Shqiptarelajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online |
|
- Publikimi...
Rreth lajmit...
- Titulli: Meta: Jo ndryshime ne Kushtetute per imunitetin
Publikuar nga Gazeta Koha Jone me 05-14-2008 - Titulli: Imunitetet, Kushtetuta do te "arnohet" perseri
Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-14-2008
- Lajmi...
Imunitetet, Kushtetuta do te "arnohet" perseri
Reagon Meta: PS-PD nuk kanë vullnet. Rama: është pjesë e reformës në drejtësi
Në kuadër të "reformave", ajo që po e pëson më shumë gjatë kësaj kohe është Kushtetuta e Republikës. Pas ndryshimeve më të fundit të bëra me konsensus mes PD-së dhe PS-së, ku u rivendos sipas vullnetit të tyre mënyra e zgjedhjes së Presidentit dhe kompetencat e Kryeministrit, Kushtetuta do të ketë fatin e keq të preket sërish, duke u tronditur kështu themelet e shtetit. Një deklaratë e tillë është bërë para pak kohësh edhe nga Presidenti Topi, i cili i ka kujtuar politikës se nuk mund të luajë me Kushtetutën si me një letër bakalli. Këtë herë, shkak për ndryshimin e Kushtetutës nuk është përcaktimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, as KQZ-ja apo kompetencat e Kryeministrit, por mënyra e heqjes së imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të vendit. "Harresa" e PD-së për ta ndryshuar edhe këtë nen të Kushtetutës në kohën kur u bënë ndryshimet e mëdha me 115 vota, do të marrë edhe njëherë vëmendjen e politikës shqiptare dhe konkretisht të PD-së dhe PS-së, për të nisur diskutimet sërish nga e para për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit. Ky ndryshim do të përcaktojë një herë e mirë që deputeti nuk ka imunitet dhe është i barabartë para ligjit, ashtu si edhe gjithë qytetarët e tjerë. Kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja, ka lënë të hapur dje mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës për çështjen e imunitetit. "Nuk përjashtohen as ndryshimet kushtetuese. Do të bëhet çdo ndryshim ligjor që do të gjykohet si i nevojshëm", është shprehur Beja. Por Beja ka theksuar se aktualisht në Komisionin e Ligjeve nuk ka një nismë konkrete për heqjen e imunitetit. Ai ka sqaruar se janë grupet politike që e kanë marrë nismën dhe kjo nismë është e mirëpritur që në fillim të legjislaturës që ne kemi dëshiruar, futjes së elementëve për heqjen e imunitetit. Kjo do të jetë një çështje që do të kalojë në procedura normale. Duke mos dashur të komentojë asnjë deklaratë të partive politike, nënkryetari Beja është shprehur se ajo që ka rëndësi është se duhet të lëmë përshtypje se një njeri që ka imunitet nuk mund ta përdorë për interesat e veta personale. Ndërsa deputeti tjetër i PD-së, Aldo Bumçi, është shprehur se për kufizimin e imunitetit gjithçka duhet të ndodhë në momentin e duhur. I rëndësishëm, sipas ish-ministrit të Drejtësisë, është konsensusi mes forcave politike për të realizuar një vendim të tillë, pasi dihet se për kufizimin e imunitetit duhen 84 vota. Kufizimi i imunitetit është komentuar edhe nga deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi. Sipas tij, ndryshimet kushtetuese për këtë çështje duhet të ishin bërë që në kohën e miratimit të ndryshimeve të tjera. Gjithashtu, Peçi ka mohuar zërat se kjo çështje mund të realizohet pa prekur Kushtetutën. Sipas tij, kufizimi i imunitetit nuk mund të bëhet pa prekur librin themeltar të shtetit. "E mbështes nismën për imunitetin, por nuk e kuptoj se përse dy liderët, Berisha dhe Rama, kërkojnë ta bëjnë pa ndërhyrë në Kushtetutë", është shprehur Peçi. Pak muaj më parë PD-ja propozoi një projektligj për kufizimin e imunitetit të deputetëve, nismë e cila nuk u pranua nga opozita. Tashmë, të dyja palët, pozita dhe opozita - pas debateve të shumta dhe pas precedentëve të njëpasnjëshme të implikimit të deputetëve në afera korruptive, që kanë detyruar prokurorinë të ndërhyjë duke kërkuar heqjen e imunitetit të deputetëve - kanë rënë dakord që imuniteti të kufizohet për të gjithë deputetët dhe zyrtarët e lartë që e kanë imunitetin si mbrojtje që kufizohet, për të lehtësuar kështu punën e organit të akuzës.
Meta: PS-PD s‘kanë vullnet për imunitetin
Kreu i LSI shpreh habi, pse s‘u bë ndryshimi i Kushtetutës për këtë më 21 prill
Imuniteti i Kryeministrit është një fatkeqësi e madhe. Ky është vlerësimi i dhënë dje nga Ilir Meta pas takimit me kryetarin e Bundestagut gjerman, Norbert Lammert. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim shprehu habinë se pse PS dhe PD nuk bënë ndryshimin e Kushtetutës për çështjen e imunitetit më 21 prill. "Por, nga nxitimi siç duket do të kenë harruar ose akoma nuk ishin marrë vesh", konstatoi Meta. Lëvizja Socialiste për Integrim, garantoi ai, e ka thënë që në fillim që "duhet të na konsiderojnë pa imunitet, pavarësisht se ne e dimë që drejtësia në këtë vend ende nuk është e pavarur". Sistemi gjyqësor, sipas tij, pas natës së 21 prillit është edhe më e varur nga ekzekutivi dhe nga Kryeministri. "Por, pyetja që unë kam dhe për ju, dhe për zotin Berisha, ka të bëjë me faktin se sa i sinqertë është ai në luftën kundër korrupsionit, në heqjen e imunitetit të atyre që e kanë imunitetin me Kushtetutë", u shpreh Meta. Ndërsa risolli rastin e dhënies së imunitetit, sipas tij, për drejtorin më të rëndësishëm të tatimeve e taksave në Shqipëri. "Një njeri që për nga pozicioni që ka në administratë është shumë afër edhe vetë pozicionit të ministrit, i cili është akuzuar jo thjesht për një shkelje ligji, por është akuzuar nga prokuroria për implikim në vrasjen e një qytetari shqiptar", insistoi Meta. Ish-kryeministri mendon se kreu aktual i qeverisë po i bën sfidë prokurorisë, i bën sfidë drejtësisë, duke e mbështetur, duke e mbrojtur dhe duke e mbajtur drejtor të Përgjithshëm. Në një moment të tillë, që në këndvështrimin e Metës është tepër sfidant edhe për opinionin publik, edhe për vetë organet e drejtësisë, të cilat e dinë që përballë kanë një njeri që akuzohet për vrasje, por që ka mbështetjen e Kryeministrit. "Dhe, ju e dini që Kryeministri pas natës së 21 prillit ka marrë një superimunitet. Kështu që, ai mund t‘u heqë imunitetin atyre deputetëve të tjerë, për t‘i pasur më shpejt në kontroll, por për fat të keq, Berisha me ndryshimet që u bënë në natën e 21 prillit ka marrë një imunitet të jashtëzakonshëm", vlerësoi Meta. LSI thotë se Berisha duhet të jetë një nga personat kyç që duhet të dalë para drejtësisë për të dëshmuar për ngjarjen e Gërdecit. Dhe së dyti, shtoi Meta, ai duhet të garantojë një proces të hapur të organeve të drejtësisë ndaj të gjithë administratës që akuzohet për korrupsion, dhe shembujt janë të shumtë, pa ndërhyrë, sikurse po bën në rastin e Sefgjinit, duke iu kundërvënë vullnetit të prokurorisë dhe të drejtësisë. Meta u ndal edhe te takimi me kryeparlamentarin e Gjermanisë, zotin Lammert. "Dua të shpreh kënaqësinë për bisedën e hapur që patëm me të dhe njëkohësisht për një rikonfirmim të vijimit të këtij dialogu dhe këtij bashkëbisedimi, i cili shpresoj të jetë i frytshëm për të forcuar më tej marrëdhëniet ndërparlamentare midis dy vendeve tona", theksoi Meta. Njëkohësisht dhe për të përfituar eksperiencë nga parlamentarizmi gjerman, nënvizoi ai, për të shmangur autoritarizmin që vihet re gjithnjë e më shumë në Kuvendin e Shqipërisë dhe përpjekjet që bëhen, sidomos nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste për t‘i arritur marrëveshjet jashtë Parlamentit.
Rama: Heqja e imunitetit, pjesë e reformës në drejtësi
Kreu i socialistëve, Edi Rama, mendon se çështja e kufizimit të imunitetit duhet të jetë pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë. I pranishëm në aktivitetin e organizuar nga komisioni për politikën e jashtme në PS dhe fondacioni "Qemal Stafa" ai ka gjetur rastin t‘i kthejë përgjigje Kryeministrit Berisha. "Pa dyshim që korrupsioni mbetet një problem serioz. Korrupsioni i ka shtrirë më tutje tentakulat e tij në trupin e shoqërisë, përmes një shteti shumë të parcelizuar në funksion interesash partiake dhe klanore", vlerësoi Rama. Ndërsa citoi raportin e progresit për vitin 2007, ai shtoi se korrupsioni është mjaft i shpërndarë dhe përbën një problem shumë serioz për Shqipërinë. "Ashtu si kundër strategjia e re e qeverisë, nuk përmban objektiva dhe indikatorë konkretë", tha Rama. Çështja e imunitetit, vijoi ai, për të cilën ne e kemi deklaruar publikisht, se jemi të hapur të diskutojmë, nuk mund dhe nuk do të jetë për sa na takon një çështje e veçuar nga diskutimi i thelluar i të gjithë problematikës së Paktit Kombëtar për Drejtësinë. "Nuk do të jetë as një arsye për t‘u rifutur në Kushtetutë, për një element të vetëm. Por, do të jetë pjesë e një ndërhyrjeje më të gjerë, për të cilën duhet të ketë një diskutim të madh, publik dhe e cila duhet të vijë si rrjedhojë e asaj vetëdijeje që mishërohet në Paktin Kombëtar për Drejtësinë dhe atij angazhimi që forcat politike duhet të marrin për këtë pakt", nënvizoi kreu i socialistëve. Rama vuri në dukje cilësinë e dobët të legjislacionit që vjen edhe si shkak i performancës së ulët të punës së Kuvendit dhe komisioneve të tij, ndryshimet e shpeshta me karakter politik në përbërje të komisioneve të Kuvendit etj. "Progres-raporti thekson problematikën e administratës publike. Për këtë kemi folur në mënyrë të vazhdueshme, por që nga ky këndvështrim objektiv, nënvizohet si një problematikë e përbërë nga vijueshmëria e emërimeve politike në pozicionet drejtues dhe të mesme, në shkelje të ligjit për shërbimin civil", tha Rama. Duke iu referuar sistemit gjyqësor, Rama kujtoi se Partia Socialiste është nismëtare e hedhjes së një hapi shumë të rëndësishëm për ekuilibrat e shtetit në Shqipëri, dhe përforcimin e drejtësisë dhe të rolit të saj, përmes Paktit Kombëtar për Drejtësinë. "Kemi vendosur vetëdijen se politika duhet të largojë një herë e mirë duart nga drejtësia. Ky duhet të jetë një angazhim i të gjitha forcave politike, që solemnisht duhet ta kthejnë këtë Pakt Kombëtar, në një angazhim konkret të miratuar në Parlamentin e Shqipërisë", vlerësoi Rama.
- Opinioni juaj...