Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

PS, Komisioni i Jashtem, tryeze per integrimin

Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-14-2008

I pranishëm raporteri për Shqipërinë, Libor Ruçek

Komisioni i Politikës së Jashtme dhe Integrimit të Partisë Socialiste, në bashkëpunim me fondacionet "Alfred Mozer" dhe "Qemal Stafa", organizuan konferencën "Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE". "Partia Socialiste, përmes këtyre tryezave me ekspertë të të gjitha fushave, synon përgatitjen e një programi qeverisës të implementueshëm dhe efektiv", tha Taulant Balla, kreu i komisionit. Sipas tij, kuptimi i prioriteteve të integrimit evropian dhe ngritja e mekanizmave dhe strategjive sektoriale për plotësimin e këtyre prioriteteve, është themel i besueshëm në suksesin e procesit të integrimit. Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, kryetari i Partisë Socialiste, u ndal në identifikimin e prioriteteve kryesore, ku duhet të fokusohet klasa politike shqiptare, me qëllim jetësimin e aspiratës historike të shqiptarëve, për integrim euroatlantik. Eurodeputeti Libor Ruçek, njëkohësisht raporter për Shqipërinë në Parlamentin Evropian dhe kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme të PE, vlerësoi rolin pozitiv të Partisë Socialiste të Shqipërisë në realizimin e reformave të rëndësishme në vend. "Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i dy aktorëve politikë kryesorë, qoftë kur njëra palë është në pushtet, ashtu edhe kur me rotacionin ato ndryshojnë rolet", tha ai. Ndërsa shtoi se në demokraci, jo të gjitha palët janë dakord, por e rëndësishme është që të ketë një konsensus sa më të gjerë. "Bashkëpunimi për ndryshimet më të fundit kushtetuese është për t‘u përshëndetur dhe duhet të shtrihet edhe në fusha të tjera të rëndësishme për procesin e integrimit", vlerësoi Ruçek. I pranishëm në konferencë, shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, u ndal në prioritet e dokumentit të Partneritetit Evropian. Aty citoi forcimin e kapaciteteve për implementimin e MSA; promovimi i dialogut konstruktiv ndërmjet partive politike dhe me grupet e interesit për implementimin e reformave.


Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!