Gazeta Shqiptarelajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online |
|
- Publikimi...
Rreth lajmit...
- Titulli: Deputetet "shfryjne" dosjen e Ina Rames per Mediun
Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-14-2008
- Lajmi...
Deputetet "shfryjne" dosjen e Ina Rames per Mediun
Anëtarët e Këshillit: Në dosjen voluminoze nuk kishte asgjë sekrete
Këshilli Parlamentar i Rregullores dhe Imunitetit ka zhvlerësuar materialin prej 700 faqesh ku kërkohej të argumentohej heqja e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Dje, këshilli ka marrë në shqyrtim dosjen e sjellë nga Prokuroria e Përgjithshme, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Ndryshe nga herët e tjera, mbledhja e Këshillit të Imunitetit është bërë me dyer të mbyllura, duke mbajtur gjithçka sekrete për mediat. Vendimi për të mbajtur të fshehur edhe zhvillimin e mbledhjes, pasi materiali që do të shqyrtonin ishte tepër sekret, ka rezultuar i rremë. Pas mbledhjes së Këshillit të Imunitetit, e cila ka zgjatur për gati një orë, deputetët janë shprehur mjaft të zhgënjyer nga institucioni i akuzës, duke e "shfryrë" kështu dosjen e sjellë nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, është një tallje e Prokurorisë, që kërkesës së bërë nga Kuvendi për të paraqitur materiale shtesë për imunitetin e deputetit Mediu, i është përgjigjur duke vënë në dispozicion një dosje shumë voluminoze me rreth 700 faqe. Pas mbledhjes, deputeti Petro Koçi, i cili është anëtar i këtij këshilli, ka zbardhur mbledhjen, duke thënë se u mor në shqyrtim një dosje voluminoze e sjellë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe u ra dakord që deputeti Mediu të vijë dhe të bëjë mbrojtjen e tij para këshillit. Sipas tij, sjellja e një dosjeje me rreth 700 faqe ka qenë një veprim aspak serioz nga Prokuroria e Përgjithshme. Koçi tha se askush nuk ia ka kërkuar një gjë të tillë Ina Ramës, por ashtu siç kanë bërë edhe prokurorët e tjerë në raste të ngjashme ajo duhet të shoqëronte kërkesën e Kuvendit me disa materiale shtesë, ku pretendohet se ish-ministri i Mbrojtjes implikohet për shpërdorim detyre dhe për shkelje të ligjit. Gjithashtu, ai tha se ka vlerësuar si jo të drejtë vendimin e Kryeprokurores Ina Rama, për t‘u kujtuar deputetëve nenin 103 të Kodit Penal. "Është e tepërt t‘i kujtohet ligjvënësit ky nen, sepse nuk është prokurori mbi Kuvendin, por është Kuvendi mbi disa institucione", është shprehur Koçi. "Në dosje kishte materiale të panevojshme, megjithatë mua më duket se çështja është shumë e qartë dhe ne na duhet që në mbledhjen e ardhshme të thërrasim deputetin Mediu për të dhënë shpjegimin e tij, në lidhje me kërkesën e bërë nga prokuroria", tha më tej Koçi . Deklarata e tij është mbështetur edhe nga deputeti Besnik Dervishi, i cili ka theksuar se "ndonëse i hodhëm një sy të shpejtë materialit, në të nuk ka asgjë super të fshehtë apo super konfidenciale, pasi janë materiale që i janë bërë të njohura publikut nga media e shkruar. Për sa i takon nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ai nuk vlen për deputetët, pasi ne zhvillojmë një aktivitet politik dhe nëse deputetët kanë imunitet, ata e kanë pikërisht për këtë, për t‘u shprehur politikisht". Ndërsa deputeti i PD-së Ilir Bano tha se "në materialin e sjellë nga Prokuroria e Përgjithshme nuk kishte asgjë të panjohur". Sipas tij, "aty kishte ligje dhe vendime të Këshillit të Ministrave të kohëve të ndryshme dhe nuk pashë ndonjë gjë të re. Këshilli ra dakord që në mbledhjen e ardhshme deputeti Mediu të vijë në Këshill dhe të japë shpjegime". Edhe për deputetin e PR-së, Arian Madhi, më shumë se 4/5 e materialit shoqërues përmban vetëm ligje, vendime e urdhëresa të firmosura që nga koha e ish-kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi, ish-kryetarit Servet Pëllumbi e deri në kohën e sotme. Sipas tij, "dokumentacioni i vënë në dispozicion nga Prokuroria vetëm në një pjesë të tij përmban akte dhe dokumente që lidhen me veprimtarinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Në këtë dokumentacion nuk përfshihen akte e dokumente të strukturave të tjera të kësaj ministrie, që lidhen me procesin në hetim nga Prokuroria". Më tej deputeti republikan ka sqaruar se pjesa tjetër e dokumentacionit të paraqitur përmban fotokopje të ligjeve dhe akteve nënligjore, si dhe relacione projektligjesh e vendimesh. Këto akte, sipas vlerësimit të Prokurorisë, lidhen me veprimtarinë që po hetohet.
Prokuroria, Kuvendit: Ua kemi dhënë të gjitha dokumentet që kërkuat
Prokuroria e Përgjithshme i është kundërpërgjigjur deklaratave të parlamentarëve se dosja prej 700 faqesh nuk kishte asnjë fakt për përgjegjësinë penale të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për dosjen "Gërdeci". Zyrtarë të akuzës qendrore thanë për "Shqip" se dosja e organit të akuzës është hartuar në bazë të kërkesave të Kuvendit. "Në dosjen prej 700 faqesh të organit qendror të akuzës janë të gjitha provat që hedhin dritë mbi fajësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit, e cila i mori jetën të paktën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë. Provat dhe faktet e organit të akuzës, drejtuar parlamentarëve, janë hartuar në bazë të kërkesave të Kuvendit. Çdo dyshim i parlamentarëve mund të vërtetohet në dosje" thanë zyrtarët e akuzës qendrore, duke deklaruar se janë të gatshëm të asistojnë në debatet që do të zhvillohen në Këshillin e Imuniteteve të Rregullores dhe Mandateve. "Megjithëse provat kryesore të organit të akuzës, për ish-ministrin janë dërguar në Kuvend, organi i akuzës është i disponueshëm të vërtetojë para parlamentarëve të gjitha provat që zotëron", shtuan më tej burime nga Prokuroria e Përgjithshme. Duke vazhduar më tej, zyrtarët e akuzës deklarojnë se në kërkesën e Kuvendit kërkoheshin fakte konkrete për "fajësinë" e Mediut, dhe jo vetëm një kërkesë për heqjen e imunitetit. Pas debateve në organin e akuzës, Kryeprokurorja Ina Rama vendosi të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë një dosje voluminoze me urdhra të ish-ministrit Mediu për ngritjen e "fabrikës së vdekjes" në Gërdec, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së deputetëve. Por deklaratat e parlamentarëve se dosja është voluminoze dhe se nuk ka fakte fajësie për Mediun, kanë çuditur organin e akuzës. Sipas tyre, parlamentarët duhet të shikojnë dosjen "me lupë" për të gjetur shkeljet. Një tjetër sugjerim i akuzës për anëtarët e këshillit është se dosja duhet të analizohet nga juristët. Grupi hetimor deklaron se është në pritje të zhvillimeve në Kuvend për të vazhduar hetimet për tragjedinë e Gërdecit. Sipas tyre, hetimet e mëvonshme do të asistojnë vetëm në përgjegjësinë penale të ish-ministrit.
Në kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Fatmir Mediu, drejtuar Kuvendit, të gjitha të dhënat apo faktet kalojnë nga MEICO, duke hedhur dyshimin se Pinari ka "fundosur" ish-ministrin e Mbrojtjes. Në fillim të kërkesës, prokuroria deklaron se mbështetur në aktet dhe dokumentet e administruara nga hetimet e deritanishme, evidentohen mjaft të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime me dashje në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec dhe se kanë sjellë përfitime të padrejta në favor të subjekteve private. Dokumenti i parë që është sekuestruar nga organi i akuzës është një shkresë më datën 5 korrik 2006, ku është vënë në dijeni ish-ministri i Mbrojtjes Mediu, nga ish- drejtori i MEIKO-s, i pandehuri Ylli Pinari, për demontimin e municioneve. Në vazhdim të hetimeve, prokuroria, duke u munduar që të zbardhë shpërthimin e fuqishëm të datës 15 mars të këtij viti ka sekuestruar edhe urdhrin e Mediut se transportimi i municioneve në Gërdec do të mbulohet nga Ministria e Mbrojtjes. Më vonë, nëpërmjet një urdhri tjetër është urdhëruar që Forcat e Armatosura të transportojnë municionet në Gërdec, në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave.
- Opinioni juaj...