Gazeta Shqiptarelajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online |
|
- Publikimi...
Rreth lajmit...
- Titulli: "Vrasja per pronat, zhvarroset Gani Kamberi"
Publikuar nga Gazeta Koha Jone me 05-14-2008 - Titulli: "Mafia e tokave" vret denoncuesin
Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-14-2008
- Lajmi...
"Mafia e tokave" vret denoncuesin
Zhvarroset trupi i pajetë i një pronari trojesh në Kashar. Vdekja e tij ishte paraqitur si vetëvrasje. Prokuroria: është ekzekutuar
Denoncuesi i skandalit të "mafies së pronave" në Komunën e Kasharit në periferi të Tiranës është ekzekutuar. Dyshimi vjen nga Prokuroria e Tiranës, e cila tha dje se ka urdhëruar Mjekësinë Ligjore të zhvarrosin trupin e pajetë të Gani Kamberit, i cili ka ndërruar jetë më 14 tetor të vitit të kaluar, një muaj pasi kishte denoncuar në Prokurorinë e Tiranës rrëmbimin e pronës prej 9 mijë metrash katrorë. Ditën e djeshme, ekspertë nga prokuroria, policia dhe morgu kanë kryer një sërë veprimesh, duke hedhur dyshimet e para se Kamberi është ekzekutuar dhe jo vetëvrarë, siç u pretendua pas gjetjes së trupit disa metra larg banesës së tij. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se shenjat e para që çuan në këto dyshime është mënyra e përçuarjes së plumbit në trupin e viktimës, ku sipas ekspertëve pozicioni ishte i vështirë në një rast vetëvrasjeje. Alibia e drejtësisë u mbështet edhe nga familjarët e tij, të cilët kanë rrëfyer se njeriu i zemrës nuk është vetëvrarë, por është ekzekutuar nga ish-drejtuesit e komunës. Bashkëshortja e Gani Kamberit pohoi dje se zyrtarët e Komunës së Kasharit shpeshherë e kishin kërcënuar të shoqin. Madje, sipas saj, ai dhe komunarët janë konfrontuar fizikisht. Krahas familjarëve, grupi hetimor po mbledh në terren të dhëna mbi mënyrën e vdekjes së Gani Kamberit dhe dyshimet e para janë për një vrasje për motive pronësie.
Vetëvrasja dhe dyshimet
Më datën 14 tetor 2007, Gani Kamberi është gjetur i vdekur nga familjarët e tij disa metra larg banesës, i përmbysur dhe me një pistoletë në dorë. Në fillim u dyshua për vetëvrasje, ndërsa në vendngjarje mbërritën punonjësit e policisë. Viktima, sipas burimeve, kishte plagë në anën e majtë të kokës dhe pistoletën në dorën e djathtë, çka e bënte pistën e vetëvrasjes gati të pamundur. Megjithatë, policia në atë kohë e klasifikoi ngjarjen si të tillë. Këmbëngulja e familjarëve të tij ka shtyrë zyrën e krimeve kundër personit dhe Prokurorinë e Tiranës të rihapë çështjen, madje të urdhërojë edhe riekspertimin e kufomës. Sipas tyre, Ganiu kishte dëshmuar para hetuesve procedurën e ndjekur për vjedhjen e tokës së tij dhe personat që i kishin kryer këto veprime. Në Prokurorinë e Tiranës dhanë deklarimet e tyre të afërmit e Gani Kamberit, të cilët pretendonin se 50-vjeçari ishte vrarë sepse kishte denoncuar skandalin e abuzimit me tokat. Ata përmendën edhe persona konkretë të dyshuar prej tyre si autorë të vrasjes së dëshmitarit.
Prona e Kamberit
Ekzekutimi i dyshuar i Gani Kamberit është realizuar pas denoncimit të tij në Prokurorinë e Tiranës për tjetërsimin e 9 mijë metrave katrorë. Rasti i tjetërsimit të pronësisë së familjes Kamberi po hetohet nga Prokuroria e Tiranës në kuadër të dosjes penale ndaj tre ish-kryetarëve të Komunës së Kasharit, të arrestuar në fillim të dhjetorit 2007. Sipas njësisë antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, e pagëzuar Task-Forca, dosja implikon ish-krerët e Komunës Kashar, që gjatë mandateve të tyre nga viti 2003 deri në 2007-n, kanë tjetërsuar pronësinë e rreth 18 hektarëve tokë në pronësi të rreth 60 banorëve të zonës. Kamberi kishte pasur konflikte të ashpra me krerët e komunës, madje edhe konfrontime fizike me njerëz të afërt të drejtuesve të pushtetit lokal. Për shkak të këtyre problemeve, edhe pse policia e klasifikoi vetëvrasje ngjarjen e ndodhur më 14 tetor 2007 me Gani Kamberin, Prokuroria tashmë po heton me dyshimet se dëshmitari i dosjes "Kashari" mund të jetë vrarë. Dyshimet e para bien mbi të arrestuarit në kuadër të dosjes "Kashari", megjithatë hetimet e mëvonshme do të zbulojnë fakte dhe prova të reja për "mafien e pronave".
- Opinioni juaj...