Gazeta Shqiptarelajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online |
|
- Publikimi...
Rreth lajmit...
- Titulli: 5 milione euro per sheshin "Skenderbej"
Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-15-2008 - Titulli: Qeveria i jep OK projektit te Bashkise per qendren
Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008
- Lajmi...
5 milione euro per sheshin "Skenderbej"
Berisha miraton projektin e bashkisë në bashkëpunim me Kuvajtin
Qeveria e Kuvajtit i akordon qeverisë shqiptare 5 milionë euro për rinovimin e sheshit "Skënderbej" dhe restaurimin e Xhamisë së Et`hem Beut në Tiranë. 500 mijë euro janë parashikuar për përgatitjen e konkursit në nivel ndërkombëtar për përzgjedhjen e konsulentit dhe kontratës së shërbimit për përgatitjen e projektimit të detajuar dhe të gjitha dokumenteve teknike të nevojshme për realizimin e punimeve. Punimet për rinovimin e sheshit "Skënderbej" dhe restaurimi i Xhamisë Et`hem Beu janë parashikuar në shumën prej 4.5 milionë eurosh.
Detyrat e bashkisë dhe qeverisë
Emiri i Kuvajtit merr përsipër të kryejë përzgjedhjen e kompanisë që do të realizojë punimet dhe do të kujdeset për ekzekutimin e punimeve si kontakti i parë me kontraktorin. Këshilli i Ministrave angazhohet të ndihmojë në procedurat dhe praktikat e nevojshme për zbatimin e këtij projekti. Ky projekt përjashtohet nga çdo lloj takse direkte apo indirekte, gjithashtu edhe nga taksa doganore e aplikuar në Shqipëri.
Bashkia e Tiranës do të organizojë punën, planifikimin, skicat dhe kërkesat teknike të nevojshme për implementimin e projektit dhe do të ndjekë dhe përgjigjet për zbatimin e projektit deri në përfundimin e tij. Në zbatim të nenit 121 të Kushtetutës, kjo marrëveshje i paraqitet për miratim Kuvendit të Shqipërisë. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e kësaj marrëveshjeje janë Ministria e Financave dhe Bashkia e Tiranës.
Vendimi
Këshilli i Ministrave miratoi dje marrëveshjen e financimit të projektit për rinovimin e sheshit "Skënderbej". Kryeministri Berisha, duke falënderuar Kryeministrin e Kuvajtit për këtë marrëveshje, e konsideroi atë një shembull jo vetëm të bashkëpunimit ndërkombëtar të qeverisë, por edhe të bashkëpunimit me qeverisjen vendore.
"Miratojmë marrëveshjen me të cilën ramë dakord me Kryeministrin e Kuvajtit për të ndihmuar në rikonstruksionin e sheshit ‘Skënderbej‘. Ky është një shembull jo vetëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, por edhe i bashkëpunimit me qeverisjen vendore. Ne nuk na pengon dallimi partiak për të pasur një partneritet me pushtetit vendor", u shpreh Kryeministri. Në kuadër të bashkëpunimit me qeverisjen vendore, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Financave të finalizojë gjithashtu edhe shpronësimin për ndërtimin e Unazës së Vogël të Tiranës. "Ministria e Financave të bëjë realitet shpronësimin e Unazës së Vogël të Tiranës. Bashkia ka fondet e saj dhe ne do të ndihmojmë, sepse nuk mund të injorojmë faktin që kryeqyteti ka probleme serioze të trafikut dhe çdo përpjekje për të zgjidhur problemet e trafikut do të ndihmohet nga qeveria", tha Kryeministri. Kryeministri e konsideroi Unazën e Vogël të kryeqytetit si një arterie shumë të rëndësishme që çliron trafikun në qendër të qytetit, ku dendësia e pluhurit dhe gazit karbonik është më e madhe se në çdo zonë tjetër në Shqipëri.
- Opinioni juaj...