Gazeta Shqiptarelajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online |
|
- Publikimi...
Rreth lajmit...
- Titulli: "Mjaft!", padi qeverise per Gerdecin
Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-15-2008
- Lajmi...
"Mjaft!", padi qeverise per Gerdecin
Lëvizja e shoqërisë civile ka marrë prokurat për të përfaqësuar ligjërisht 11 familje që kanë humbur të afërmit
Njëmbëdhjetë familje të viktimave të Gërdecit i kanë besuar lëvizjes "Mjaft!" përfaqësimin ligjor për një padi civile kundër shtetit shqiptar. "Mjaft!" bëri të ditur dje, në një konferencë për shtyp, ku ishin të pranishëm edhe familjarë të viktimave të Gërdecit, se kjo padi do të vërë para drejtësisë strukturat dhe individët me pushtet përgjegjës për krime kundër civilëve. "Padia do të jetë një kontribut në luftën kundër idesë dhe praktikës se krimet politike në Shqipëri kurrë nuk ndëshkohen, gjithmonë mbyllen", tha Elisa Spiropali, aktiviste e "Mjaft!". Sipas kësaj lëvizjeje, kjo padi do të vendosë një precedent ligjor për përgjegjësi shtetërore për dhunim të jetës dhe dinjitetit njerëzor. "Mjaft!" do të bëhet palë e tretë me Prokurorinë në padinë penale sakaq të nisur në kërkim të përgjegjësve për këtë vrasje masive. Një grup juristësh pranë "Mjaft!" ka rreth një muaj që punon për këtë çështje. Në bazë të provave dhe informacioneve të mbledhura, MJAFT! Do të kërkojë drejtësi për burrat, gratë dhe fëmijët e pazëshëm të Gërdecit. Avokatët që kanë drejtuar grupin e punës mbi këtë çështje, Andi Kananaj dhe Dorian Matlia sqaruan se me shumë rëndësi në këtë pikë, përveç dëmshpërblimit për jetën, shëndetin dhe dëmet materiale, është vënia e drejtësisë në vend dhe krijimi i precedentit pozitiv, çka i ndërgjegjëson njerëzit për të reaguar, kur u shkelen të drejtat. Për këtë qëllim, lëvizja MJAFT! ka kërkuar ndihmën e disa nga grupimeve ndërkombëtare më prestigjioze ligjore për të drejtat e njeriut. "Bilanci rrëqethës i tragjedisë së Gërdecit, me 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur, 1200 shtëpi të shkatërruara dhe mijëra njerëz të dëmtuar fizikisht dhe psikologjikisht, thërret për Drejtësi!", tha Spiropali, sipas së cilës "qeveria shqiptare po përpiqet ta varrosë të vërtetën e Gërdecit nën rrënojat e Gërdecit". Sipas aktivistet së "Mjaft!", qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për ta fshehur krimin përmes diskutimesh politike dhe propagandistike me NATO-n dhe ndryshime qëllimkëqija në Kushtetutë.
Intervista
Flet një nga drejtuesit e lëvizjes "Mjaft!" për nismën e fundit për padi ndaj qeverisë
Qafmolla: Do të zbardhim shkaqet dhe fajtorët e katastrofës
Një nga drejtuesit e lëvizjes "Mjaft!", Ervin Qafmolla, duke shpjeguar nismën më të fundit për të mbrojtur ligjërisht banorët e Gërdecit, shprehet se ky aksion synon të vërë të drejtën dhe të zbardhë të vërtetën e katastrofës. Në një intervistë për "Shqip", Qafmolla thekson se në këtë aksion do të konsultohen kompani të rëndësishme ligjore ndërkombëtare...
Çfarë nënkupton nisma e fundit ligjore e "Mjaft!" për nisjen e një procesi gjyqësor kundër shtetit shqiptar për tragjedinë e Gërdecit?
Kjo është një nga çështjet më të rëndësishme që lëvizja "Mjaft!" ka ndjekur. Shumëkush na ka pyetur se përse nuk kemi qenë shumë vizivë kohët e fundit dhe se me çfarë jemi marrë ndërkohë. Kjo është përgjigja e këtyre pyetjeve: Që nga dita e tragjedisë së Gërdecit, aktivistët e "Mjaft!" kanë ndjekur hap pas hapi dhe minutë pas minute gjithçka që ka të bëjë me këtë çështje, duke punuar ngushtë edhe me një ekip juristësh të pasionuar, për t‘i dhënë kësaj ngjarjeje vëmendjen që meriton dhe për t‘u siguruar viktimave dhe familjarëve të tyre drejtësi. Pas një pune shumë të gjatë dhe intensive, ky ekip ka grumbulluar argumente ligjore dhe ka zbardhur rrugën procedurale për të nisur një proces gjyqësor. Sakaq, kemi marrë prokurat për të përfaqësuar ligjërisht 11 familje që kanë humbur pjesëtarët e tyre në këtë tragjedi dhe do të bëhemi palë e tretë në padinë penale të nisur nga Prokuroria e Përgjithshme në kërkim të përgjegjësve për këtë vrasje masive, si dhe do të nisim një padi civile kundër shtetit shqiptar, duke përfaqësuar dhe kërkuar kompensim dhe drejtësi për të gjitha jetët e humbura në Gërdec. Besoj se kjo është dëshmi e një rritjeje të pjekurisë së Lëvizjes në nismat që ajo ndërmerr. "Mjaft!" po punon edhe për krijimin e një studioje ligjore falas, që do të synojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si për individë, edhe për përfaqësimin e grupeve të interesit që kanë shkelje të të drejtave të njeriut. Shpejt do të kemi diçka konkrete mbi këtë projekt tonin, edhe falë pasionit dhe përpjekjeve të mëdha të një prej aktivistëve tanë, Andi Kananaj, njëherësh edhe avokat i Lëvizjes, falë edhe angazhimit profesional në këtë përpjekje të Antuen Skënderit dhe të Llukan Takos, i cili i është bashkangjitur skuadrës MJAFT! pas arsimimit të tij në SHBA.
Ngjarja e Gërdecit ka edhe anë të tjera përtej aspektit ligjor. Informimi i publikut se çfarë po ndodh dhe ç‘masa do të merren nga institucionet mund të jetë ndonjë nga anët e errëta të kësaj çështjeje. A keni parashikuar diçka në këtë drejtim?
Sigurisht që po punojmë edhe në këtë drejtim. Shumë shpejt ne do të dalim publikisht për të njoftuar krijimin dhe takimin e parë të Komisionit Qytetar për Hetimin e Tragjedisë së Gërdecit, ku sakaq bëjnë pjesë ekspertë ushtarakë, juristë dhe intelektualë të shumtë. Përmes këtij grupimi qytetar synohet zbardhja e fakteve të asaj që ndoshta është ngjarja më e shëmtuar e kohëve të fundit. Shqiptarët kanë të drejtë të njihen imtësisht me këtë tragjedi, me përgjegjësitë përkatëse dhe se ç‘po ndodh aktualisht, ç‘veprime po ndërmarrin institucionet dhe çfarë duhet bërë. Ne i kemi bërë thirrje dhe do të vazhdojmë të ftojmë ekspertë të fushave të ndryshme, profesionistë, opinionistë dhe intelektualë të papërfshirë politikisht, që t‘i bashkëngjiten këtij grupimi qytetar të shoqërisë civile. Vlen të theksojmë se jo vetëm qeveria, por edhe partia më e madhe e opozitës, kanë treguar një mungesë vullneti për ta trajtuar këtë çështje me vëmendjen dhe energjitë që ajo meriton.
Për më tepër, ne po vendosim kontakte me një studio ligjore të Shkollës së Ligjit në Harvard, "International Human Rights Clinic", një organizatë shumë e njohur për ndjekjen e çështjeve ligjore, të ngjashme për nga natyra me tragjedinë e Gërdecit. Mbështetja konsiston në ndihmë ligjore dhe publike mbi këtë çështje, duke rritur presionin ndërkombëtar mbi një ngjarje, të cilën politika shqiptare po mundohet ta minimizojë në një incident lokal.
Si është "Mjaft!"-i aktual, ku ndryshon nga "Mjaft!"-i me të cilin njerëzit janë mësuar deri tani. A keni ju një vizion ndryshe?
Është më i pjekur, më i organizuar, është rifreskuar me energji dhe njerëz të rinj, është më ambicioz, jo vetëm për të ruajtur standardet që vetë i ka vendosur në shoqërinë civile, por për t‘i përmirësuar ato. Me nismat e fundit ligjore që përmenda më lart, ne synojnë të forcojmë karakterin e një organizate "Watch-dog". Për këtë drejtim po punojmë fort edhe për të forcuar procesin e monitorimit, duke e shtrirë atë jo vetëm brenda Kuvendit, por edhe nëpër të gjitha ministritë, në këshillat bashkiakë të qyteteve kryesore dhe madje edhe në sistemin gjyqësor. Një skuadër energjike prej më shumë se 30 të rinjsh do të jetë e pranishme kudo ku vendoset për fatet e shqiptarëve. Falë këmbënguljes së Elsi Rizvanollit, i cili do të pasohet tani nga Elton Kacidhja, ky projekt monitorimi është shndërruar në një superforcë të shoqërisë civile në vend. Njëkohësisht po bëjmë hapa konkretë, bashkë me kolegun tim Kristi Pinderi, për të bashkëpunuar me një radio me traditë në kryeqytet për transformimin e saj në një media të pavarur, që jo vetëm denoncon padrejtësitë që ndodhin në vend, por kulturon dëgjuesin shqiptar që të ketë një frymë kritike ndaj çdo ndodhie të mediatizuar ose jo. Një grup prej mbi 50 vullnetarësh, mbi 10 analistësh të njohur në vend e një staf profesionistësh, po punon aktualisht për këtë projekt ambicioz. Gjithashtu, po punojmë që përmes programit të debatit të edukojmë rreth 300 gjimnazistë dhe studentë të debatojnë me argumente dhe me etikë që politikanët shqiptarë duhet t‘ua kenë zili. Ndërkohë "Mjaft!"-i do të vazhdojë të prodhojë argumente të pjekura për problemet me të cilat përballet vendi ynë, falë profesionalizmit dhe pasionit të stafit, mosha mesatare e të cilit është sot 23 vjeç, ndërsa koha që ka kaluar për t‘u arsimuar në Perëndim, i kalon 50 vjetët.
- Opinioni juaj...