Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Mediu ne SHBA, shperthejne polemikat

Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-15-2008

Opozita: Po i fshihet hetimit

Nisin polemikat për largimin e papritur të Fatmir Mediut nga Tirana. Që pas ngjarjes së Gërdecit, ky është largimi i parë që kreu i republikanëve bën jashtë Shqipërisë. Përpos letrës drejtuar Këshillit të Imuniteteve nga ish-ministri Mediu, nga ana tjetër republikanët kanë nxituar për të treguar arsyet e vërteta të largimit urgjent të ish-ministrit të Mbrojtjes.



Letra e Mediut



Deputeti i PR-së, Fatmir Mediu, i ka nisur një shkresë Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, ku e vë në dijeni se do të vonohet në paraqitjen e tij për t‘u mbrojtur në këtë këshill, pasi nuk ndodhet në Shqipëri. Prej disa ditësh deputeti Mediu ndodhet në SHBA për një arsye familjare. Vizita e tij nuk është përcaktuar sesa do të zgjasë atje, por republikani duke kërkuar ndjesë kujton se do të kthehet në Shqipëri sa më parë të mundet për t‘u paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Rregullores. Ky këshill prej dy ditësh është njohur me dosjet e paraqitura nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila kërkon heqjen e imunitetit të deputetit Mediu. Por, para se të shprehet në bazë të rregullores, anëtarët e këshillit duhet të dëgjojnë edhe deputetin republikan.



Godo sqaron largimin



Presidenti i nderit të republikanëve ka komentuar dje largimin e kryetarit të PR-së, Fatmir Mediut, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Mediu është nisur në SHBA më 13 maj dhe do të vijë në Tiranë kur të kërkohet nga Parlamenti, për të dhënë dorëheqjen e për t‘u përballur me akuzat e prokurorisë", tha ai. Shkaku i udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhet me urgjencat familjare të ish-ministrit Fatmir Mediu. "Është nisur më 13 maj, së bashku me djalin e tij, për të zhvilluar një vizitë në spitalin me të cilin ka një kontratë për kurimin e të birit më 16 maj", tha Godo. Ai ka sqaruar se "ish-ministri do kthehet në Shqipëri para 25 majit, ndoshta në 22 maj, gjithsesi ai do të jetë këtu ditën që do të kërkohet nga Kuvendi".



Reagimi i PS



Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi dje se ish-ministri i Mbrojtjes po tenton t‘i fshihet hetimit. I pyetur lidhur me vizitën e Fatmir Mediut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai konstatoi se vërtetohen deklaratat e opozitës për shtyrje të qëllimshme. Braçe mendon se Kryeministri Sali Berisha është personi i cili e drejton shtyrjen e këtij procesi, pasi po tenton të shpëtojë veten nga hetimi. Braçe akuzoi kreun e shumicës si përgjegjës për ngjarjen e Gërdecit. Sipas drejtuesit të lartë socialist, familja e Kryeministrit është përfshirë në aferat që sollën tragjedinë. Ai denoncoi edhe marrjen në mbrojtje që shefi i shumicës qeverisëse po i bën ish-ministrit të tij Fatmir Mediu, duke i bërë presion prokurorisë. Opozita vijon të kërkojë nxjerrjen e përgjegjësve moralë dhe ligjorë për atë çka ndodhi me banorët e Gërdecit. Një tjetër objekt i komunikimit të djeshëm për shtyp të deputetit Braçe ishte edhe reforma e ndërmarrë në Kombinatin e Përpunimit të Naftës në Ballsh. "Administrata e këtij kombinati po spastrohet në mënyrë politike", denoncoi Braçe. Ai konstatoi se ditët e fundit Kryeministri Berisha po u heq të drejtën specialistëve të punojnë dhe rasti më flagrant është ai i punonjësve të Ballshit. Reagimi erdhi pasi 450 punonjës të kompanisë së naftës ARMO kanë marrë njoftimin se janë pezulluar nga puna në kuadër të ristrukturimit që po realizohet në këtë kompani në prag të privatizimit të saj.


Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!