Gazeta Shqiptarelajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online |
|
- Publikimi...
Rreth lajmit...
- Titulli: Godo: Presidenti te rishikoje qendrimin e Prokurorise
Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-15-2008
- Lajmi...
Godo: Presidenti te rishikoje qendrimin e Prokurorise
Qëndrimi i republikanëve: Dosja e Gërdecit, delir madhështie dhe papërgjegjshmëri
"Delir madhështie dhe papërgjegjshmëri". Me këto fjalë e ka përkufizuar presidenti i nderit të Partisë Republikane, Sabri Godo, dosjen voluminoze të Prokurorisë së Përgjithshme për Fatmir Mediun. Duke e cilësuar si të panevojshëm show-n mediatik të prokurorisë me dosjen prej qindra faqesh, Godo ka kritikuar dhe organin e akuzës për marrëdhëniet me Kuvendin. "Shikoj papërgjegjshmëri të prokurores së Përgjithshme në marrëdhënie me Kuvendin", tha ai. Të dyja veprimet e fundit të prokurores Ina Rama janë vënë nën shënjestrën e republikanëve, ku akuzat e prokurores Rama në konferencën e parë janë cilësuar nga Fatmir Mediu si tendencioze dhe të njëanshme dhe veprimi i dytë për dorëzimin e dosjes së Gërdecit në Parlament si një veprim i papërgjegjshëm. "Sipas meje, kemi të bëjmë me një dëshirë për të bërë gjëra të mëdha të prokurorisë. Dikush vuan nga deliri i madhështisë, ose ndiqet ndonjë qëllim i pakuptimtë që do dalë më pas", tha Godo. Republikani Godo ka theksuar se "këtu kemi të bëjmë ose me një nënvleftësim të Kuvendit, ose me një mungesë me të vërtetë serioze të nivelit profesional të atyre që bënë një përçapje të tillë". Pyetjes se kush fshihet pas Prokurorisë së Përgjithshme, Godo i është përgjigjur: "Po pse të mos themi që zonja Rama vepron me iniciativën dhe lirinë e saj të plotë dhe të mos përfytyrojmë ndonjë figurë mbrapa saj. Gjithsesi, kushdo që i bën këto në prokurori, ta ketë parasysh se janë dalje krejt të papërshtatshme. Del nga të drejtat e prokurorisë në të dyja rastet". Republikanët i kanë kërkuar Presidentit Topi të rishikojë qëndrimin mbi hetimin që po zhvillon prokuroria për ngjarjen e Gërdecit. "Unë do t‘i kërkoja Presidentit Topi të rishikonte këtë veprimtari të fundit të prokurorisë, në mënyrë që me të vërtetë të ecim me këtë drejtim që të fillojmë të besojmë më në fund se kemi një prokurori e cila i trajton çështjet së mbari", tha ai. Për përfshirjen e republikanëve në qeveri, Godo u shpreh se "ne e kemi thënë fjalën tonë në asamblenë e PR-së. Tani presim që Berisha të thotë fjalën e tij". Presidenti i nderit të PR-së ka theksuar se segmente të caktuara të Partisë Demokratike po tentojnë të mënjanojnë PR-në. "Deputetë të PD po sillen si guvernatorë në zonën ku janë zgjedhur si deputetë", tha Godo. "Janë deputetë të PD në Kukës dhe Dibër ata që kanë bërë këto ndërhyrje. Ka ngacmime të vogla edhe gjetiu. Ajo që përbën shqetësim është njëlloj fryme për të mënjanuar PD-në dhe kësaj ne s‘mund t‘i nënshtrohemi", tha ai. Në lidhje me postin e ministrit nga radhët e republikanëve, Godo theksoi se "Fatmir Mediu nuk dëshiron të kthehet në qeveri njëherë së pari pa u sqaruar tërësisht puna e tij dhe gjithsesi kjo çështje nuk shtrohet brenda kësaj legjislature. Ky është vendim personal i Mediut. Ai nuk bën lojëra, të lërë një ministri për të marrë një tjetër, vetëm sa për të kaluar hendekun".
- Opinioni juaj...