Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Qeveria i jep OK projektit te Bashkise per qendren

Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008

Bashkëpunimi mes kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama, shtrihet së fundi edhe në nivelin lokal. 


Kështu, qeveria ka miratuar dje në mbledhjen e radhës marrëveshjen mes Republikës së Shqipërisë dhe Kuvajtit për një shumë prej 5 milionë eurosh me të cilat do të financohet rinovimi i sheshit "Skënderbej" dhe restaurimi i xhamisë së Ethem Beut. Kjo marrëveshje e ka zanafillën pak muaj më parë gjatë një vizite të kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama në Kuvajt teksa gjatë takimeve me krerët e këtij vendit, Ramës iu premtua një financim në masën 5 milionë euro për qendrën e kryeqytetit. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha u shpreh se edhe pse përkatësia partiake është e ndryshme, kjo nuk është më pengesë për thithjen e investimeve të huaja. "Sot, miratojmë marrëveshjen me të cilën ramë dakord me Kryeministrin e Kuvajtit për të ndihmuar në rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej". Ky është një shembull jo vetëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, por edhe i bashkëpunimit me qeverisjen vendore. Ne nuk na pengon dallimi partiak për të pasur një partneritet me pushtetit vendor", u shpreh Berisha. Sipas relacionit që i bashkëngjitet kësaj marrëveshja, shuma e grantit që Al Emiri i Kuvajtit i ka ofruar Tiranës 500 mijë euro, do të përdoret për përgatitjen e konkursit dhe 4.5 milionë për punimet për sheshin "Skënderbej" dhe xhaminë e Ethem Beut. "Emiri Diwan merr përsipër të kryejë përzgjedhjen e kompanisë që do të realizojë punimet dhe do të kujdeset për ekzekutimin e punimeve si kontakt i partë me kontraktonin. Projekti përjashtohet nga çdo lloj takse direkte apo indirekte gjithashtu dhe nga taksa doganore e aplikuar në Republikën e Shqipërisë", thuhet në relacionin e përgatitur nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Berisha i kërkoi Bodes të finalizojë shpronësimin për ndërtimin e unazës së vogël të Tiranës. "Ministria e Financave të bëjë realitet shpronësimin e unazës së vogël të Tiranës. Bashkia ka fondet e saj dhe ne do të ndihmojmë, sepse nuk mund të injorojmë faktin që kryeqyteti ka probleme serioze të trafikut dhe çdo përpjekje për të zgjidhur problemet e trafikut do të ndihmohet nga qeveria", vijoi Kryeministri.

Shalsi: Sheshi "Skënderbej", projekt i bashkisë


Nënkryetari i Bashkisë Eduard Shalsi ka reaguar dje pas disa deklaratave të Kryeministrit Berisha gjatë mbledhjes së  Qeverisë, lidhur me marrëveshjen e nënshkruar nga Bashkia e Tiranës dhe Qeveria Kuvajtjane për rivitalizimin e sheshit "Skënderbej". "Ndoqëm dje përpjekjen e Kryeministrit të vendit për t’u treguar qytetarëve shqiptarë si një vepër të qeverisë punën e Bashkisë për transformimin e sheshit “Skënderbej” me ndihmën bujare të Emirit të shtetit të Kuvajtit. Nuk është hera e parë që Kryeministri i tregon punët e Bashkisë së Tiranës si punë të qeverisë së tij, por ky nuk është problemi ynë, sepse është e rëndësishme që Bashkia jonë t'i bëjë realitet punët në shërbim të qytetarëve, të cilët e dinë fare mirë se cila palë di të punojë me llafe e cila palë di të flasë me punë. Problemi ynë është se Kryeministri po pengon projektin tonë të rindërtimit të Parkut të Liqenit, po me qeverinë kuvajtjane, duke mos dhënë aprovimin formal të Qeverisë shqiptare sipas së cilës, ky projekt strategjik për kryeqytetin, nuk qenka prioritet. Në emër të banorëve të kryeqytetit, ne i bëjmë apel publik kryetarit të Qeverisë për të mos e bllokuar vetëm për një "Po" formale, projektin e rindërtimit të Parkut të Liqenit, të cilin miqtë tanë të çmuar kuvajtjanë janë gati ta financojnë menjëherë, nëse nga qeveria shqiptare nuk ka pengesë"

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!