Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Artur Zheji: Vullneti i qytetareve nuk do te ndalet

Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008

Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës nisi dje dialogun me qytetarët nga qyteti i Elbasanit. 


Në qendër të takimit, i cili u zhvillua në teatrin "Skampa", ishte domosdoshmëria e zhvillimit të referendumit pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji, analisti i njohur dhe anëtar i këtij Komiteti të Mbrojtjes së Kushtetutës, Andrea Stefani, kryetari i LSI, Ilir Meta, kryetari i PAD, Neritan Ceka dhe sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkollari. Në takim merrnin pjesë edhe shumë përfaqësues të shoqërisë civile dhe intelektualë të qytetit të Elbasanit. Në fjalën e tij, kryetari i këtij Komiteti, Artur Zheji, dënoi tendencën e përqendrimit të pushtetit në duart e një kaste politike. Ai kundërshtoi përqendrimin e pushtetit në duart e një grupi, i cili, sipas tij, "çuditërisht është një grup bipolar, i kryesuar nga njëra anë nga Sali Berisha dhe një grup tjetër surprizë i kryesuar nga zoti Rama dhe ca të tjerë, të cilët po bëjnë ca marrëveshje që na çuan në këto ndryshime kushtetutore, që u votuan prej një maxhorance të sforcuar parlamentare". "Kjo qeveri mori mandatin e saj qeverisës në emër të reformave të mëdha, luftës kundër korrupsionit, rritjen e mirëqenies sociale etj., por tashmë kjo qeveri ka dështuar përfundimisht. Dështimi i kësaj qeverie ndodhi në Gërdec, në një tragjedi të frikshme, ku në mënyrë ilegale gjithë rezervat e ushtrisë shqiptare u përqendruan në një fshat jo shumë larg Tiranës. Kjo është një situatë anormale, sepse Kushtetuta është dëmtuar në pjesën më jetike të saj", tha Zheji. Sipas tij, "e vetmja mënyrë për të korrigjuar këtë krim të madh kundër Kushtetutës, është nëpërmjet sovranitetit që ka populli për t'u shprehur". Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, shprehu vullnetin e kësaj partie për realizimin e referendumit, në mënyrë që të njihet e drejta e popullit që të shprehet për Kushtetutën. "Ashtu sikurse është shprehur 10 vjet më parë për të miratuar atë Kushtetutë, ku Sali Berisha ishte kundër, të miratuar me votë plebishitare përmes një procesi tepër demokratik dhe transparent", tha Meta. Për kreun e LSI-së, "Kushtetuta mbetet në plan të parë jo si një çështje e një partie, apo disa partive, por si një çështje e gjithë qytetarëve shqiptarë, sepse për miratimin e saj janë shprehur gjithë shqiptarët". Gjatë takimit të djeshëm, analisti Andrea Stefani kërkoi të sqaronte qëllimin real të komitetit dhe idesë së referendumit. Stefani u shpreh se, "Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk është ashtu sikurse përflitet në media të ndryshme apo në qarqet e mbyllura të politikës sonë, por ky Komitet është një bashkim qytetarësh, gazetarësh, politikanësh, juristësh, njerëz të profesioneve të ndryshme, të gjithë në pozicionin qytetar dhe me shqetësimin qytetar për rrezikimin e demokracisë nga një ndryshim i beftë, jotransparent dhe i errët i dokumentit më të shenjtë të qytetarëve dhe demokracisë, Kushtetutës së Republikës". Neritan Ceka tha gjatë takimit se, "ne nuk mund të pranojnë dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis me atentatin kushtetues të 21 prillit, sepse për ne parimi i ndarjes së pushteteve është i shenjtë, është jetik, është vetë vija ndarëse midis demokracisë dhe diktaturës".

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!