Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Hetim trojeve e milionave te Pinarit

Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008

Prokuroria shqiptare ka filluar një verifikim për pasurinë e Ylli Pinarit, ish-drejtor i ndërmarrjes së import-eksportit të armëve "MEICO", i arrestuar tre ditë pas tragjedisë së Gërdecit. 


Pronat e shumta në zotërim të Ylli Pinarit, si shtëpi, makina, llogari bankare dhe troje, janë bërë shkak për dyshimet e para të Prokurorisë rreth përfitimeve të dyshimta financiare. Grupi hetimor i ngritur për tragjedinë e Gërdecit, ka rënë në gjurmë të veprimeve të paligjshme që dyshohet se janë kryer me municionet luftarake. Kryeprokurorja Ina Rama është shprehur në një konferencë shtypi pak kohë më parë se, kompanitë "SAC" dhe "Albademil" ishin favorizuar në procesin e demontimit dhe shitjes së municioneve të ushtrisë shqiptare, duke arritur përfitime të mëdha financiare. Shkak i këtyre abuzimeve dyshohet se ka qenë përfitimi financiar i zyrtarëve shtetërorë, të cilët besohet se kanë përfituar në këmbim të favorizimit të firmave dhe kompanive private. Mes këtyre zyrtarëve, ai që ka pasur më tepër kompetenca dhe që dyshohet se është i implikuar në një shkallë më të lartë, sipas Prokurorisë, është Ylli Pinari. Ai ka qenë personi i parë me të cilin kanë hyrë në kontakt kompanitë përfituese, por edhe iniciatori i nënshkrimit të kontratave për shitjen dhe çmontimin e municioneve luftarake.
Korrupsioni
Pas dyshimeve se Ylli Pinari mund të ketë pasur përfitime financiare për tejkalimet ligjore apo mosveprimet e tij në detyrë, Prokuroria ka administruar dokumente e të dhëna për deklarimet e pasurisë që vetë Ylli Pinari ka bërë gjatë ushtrimit të detyrës si drejtor i ndërmarrjes shtetërore "MEICO". Gjatë hetimeve, Prokuroria zbuloi se që nga viti 2004, ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore "MEICO", nuk ka bërë asnjë deklarim për pasurinë e tij, pasi ligji e kishte përjashtuar nga ky detyrim. Tre kontratat objekt hetimi, në të cilat Prokuroria po e heton Ylli Pinarin për abuzime, u nënshkruan pas vitit 2004. Mungesa e informacionit për këtë hark kohor, ka qenë shkaku pse Prokuroria filloi verifikimin e pasurisë së Ylli Pinarit për të mësuar çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe me pronat e ish-drejtorit të "MEICO"-s. Pas vitit 2004, ai veç të tjerave, ka nënshkruar një kontratë për shitje fishekësh kompanisë amerikanë "AEY", të cilës për disa muaj municionet shqiptare i janë dhënë me dyfishin e çmimit. Pinari nënshkroi edhe dy kontrata për çmontim fishekësh e predhash në Gërdec, me bashkimin e firmave "SAC"-"Albademil". Të tri kontratat po hetohen me hollësi nga Prokuroria, pasi dyshohet se në procedurat e ndjekura ka pasur abuzime dhe tejkalime ligjore.
Hetim pronave
Në pamje të parë gjithçka ka ndodhur me pasurinë e Ylli Pinarit në periudhën 2004-2008 duket se ka mbetur mister, të paktën deri tani. Për të hedhur dritë në këtë drejtim, hetuesit kanë kërkuar së fundi të dhëna nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive, bankat e nivelit të dytë dhe Tatimet. Prokuroria tha se, prej këtyre institucioneve priten përgjigje të hollësishme lidhur me të gjitha pasuritë e Ylli Pinarit, qofshin këto shtëpi, sipërfaqe toke, llogari bankare apo pasuri të tjera. "Pasi të administrohen këto përgjigje, do të bëhet një verifikim mbi origjinën e secilës pasuri të vendosur, me qëllim që të saktësohet nëse ka pasur përfitime financiare të dyshimta", konfirmuan burimet nga institucioni i akuzës. Deri tani mësohet se Pinari ka në pronësi: Një shtëpi në Tiranë me vlerë 7.2 milionë lekë, bashkëpronar në dy apartamente të tjera dhe në një truall, një shtëpi me vlerë 36.4 milionë lekë në Golem të Kavajës, dyqan me sipërfaqe 100 metra katrorë, truall i trashëguar me sipërfaqe 2333 metra katrorë, truall i trashëguar 122 metra katrorë, tokë bujqësore me sipërfaqe 22 hektarë, e trashëguar, dy autovetura, 10 mijë euro në bankë dhe borxhe në shumën 57 mijë euro.
 

Përfitimi
Prokuroria tha se, pasi të administrojë të dhënat nga tatimet, bankat dhe nga Hipoteka do të verifikojë të gjitha pasuritë në pronësi të Ylli Pinarit. Hetuesit do të verifikojnë me imtësi origjinën e secilës pronë. Nëse zbulohet ndonjë pasuri e vendosur gjatë viteve të fundit, e cila ka burim të dyshimtë financimi, atëherë Prokuroria mund të zyrtarizojë hetimin për përfitime të mundshme financiare në rrugë të paligjshme nga ish-zyrtari i lartë i ndërmarrjes "MEICO".

Justifikimi
Në deklarimet e tij të pasurisë deri në fund të vitit 2004, Ylli Pinari i ka justifikuar të gjitha pasuritë në pronësi të tij. Sipërfaqet e mëdha të tokës në pronësi të tij, sipas deklarimeve të Pinarit janë trashëguar, ndërsa pronat e tjera si llogaritë bankare, makinat apo shtëpitë, janë krijuar nga të ardhurat vjetore të Pinarit si drejtor i ndërmarrjes "MEICO". Ai është paguar nga shteti shqiptar me një pagë mujore, që kapte shifrën 80 mijë lekë.

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!