Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Bode bllokon PS per minatoret

Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008

Ministria e Financave hedh poshtë nismën e opozitës për trajtimin e veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë.

Shkak i bllokimit të kësaj nisme është bërë fatura e lartë financiare që socialistët propozojnë për ndryshimin e këtij ligji me numër 8685. Deputetët e opozitës, Tola dhe Bejtaj, deklaruan dje në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, se Ministria e Financave ka kthyer përgjigje vetëm pas tre muajsh, pasi Komisioni parlamentar i Shëndetësisë e kishte miratuar atë. Kjo ka sjellë edhe irritimin e nismëtarëve, të cilët kërkuan që kërkesa e ministrit Bode të mos merret në konsideratë dhe nisma të dërgohet për votim në seancë plenare. Shtatë deputetët e opozitës në nismën e tyre kërkojnë që, “masa e përfitimit nuk mund të jetë më pak se pensioni bazë i pleqërisë në qytet i skemës së detyrueshme të sigurimeve shoqërore”. Gjithashtu kërkojnë që efektet ky ligj t’i shtrijë që nga data 1 janar e këtij viti. Masa e përfitimit duhet të jetë për jo më shumë se 4 mijë persona dhe shuma e përfitimit është 6 mijë lekë në muaj. Sipas socialistëve, fatura financiare nuk i kalon 100 milionë lekë në vit, por Ministria e Financave ka kërkuar që të bllokohet kjo nismë, se ka kosto. Deputetët firmëtarë Rrapush Tola, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Qemal Minxhozi, Erjon Braçe dhe Alfred Dalipi, shprehen se këtë skemë e cilësojnë të përballueshme financiarisht, duke dhënë si shembull se skema e pagesës mund të përballohet nga fondet që kursehen nga ulja e përqindjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore. “Kështu buxheti pagoi në vitin 2007, 1200 lekë në muaj për person, më pak kontribute se sa në vitin 2006. Vetëm me këtë shumë mbulohet rritja me 20 për qind e masës së përfitimit”, thuhet në relacionin e paraqitur. Deputeti i PSD-së, Engjëll Bejtja, ka protestuar dje për bllokimin e nismës, duke e cilësuar si të padrejtë vendimin e marrë nga qeveria. Ai ka replikuar edhe me kryetarin e komisionit, Tritan Shehu, duke i kërkuar që nismën ta dërgojë për votim në seancë. “Ju duhet ta hidhni në seancë, kjo është kostoja e juaj. Nuk ka kuptim që pas tre muaj bllokim, ministria kthen përgjigje dhe duhet ta shqyrtojmë nga e para”, iu drejtua Bejtaj, Shehut. Por kryekomisioneri u shpreh se, “duhet të shqyrtohet më parë në komision dhe se nuk do ta hedhë në seancë”. Edhe deputeti i PS-së, Rrapush Tole, si firmëtar i kësaj nise, e ka cilësuar të palogjikshme dhe absurde përgjigjen negative të dhënë nga Ministria e Financave dhe e Punës së Çështjes Sociale. “Ne do të presim qëndrimin e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe më pas do të insistojmë përfshirjen patjetër në seancë për votim”, tha Tole për “Panorama”. Projektligji për trajtim të veçantë të punonjësve të nëntokës parashikon që punonjësit që kanë punuar në miniera për një periudhë jo më pak se 11 vjet e gjysmë në nëntokë dhe janë një periudhë sigurimi jo më pak se 23 vjet, në rastet kur nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike, trajtohen me përfitim. Masa e përfitimit për këta punonjës është e barabartë me 60 për qind të bazës së vlerësuar. Me ndryshimin e paraqitur kërkohet se këta minatorë të mos marrim 6 mijë lekë në muaj, por 10 mijë lekë, aq sa është pensioni minimal në qytet.

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!