Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Ekzekutohet me dy plumba emigranti

Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-15-2008

Policia dyshon për një konflikt pronësie

Një 36-vjeçar është ekzekutuar me dy plumba pistolete pranë shtëpisë së tij në qytetin e Pogradecit. Fatos Shyti, lindur në fshatin Gështenjas dhe banues në qytetin e Pogradecit, është gjetur i vrarë pranë hyrjes së pallatit ku kishte blerë një apartament para pak kohësh. Shyti, që njihej nga të afërmit me emrin Toni, punonte në Itali dhe ishte kthyer përpara një muaji për të rregulluar shtëpinë e blerë në qytet. Policia tha se 36-vjeçari është vrarë rreth orës 22:20 të mbrëmjes të së martës dhe është gjetur i vrarë nga kalimtarë të rastit, në lagjen nr. 1, pranë Varrezave të Dëshmorëve të qytetit të Pogradecit. Policia e ka lidhur vrasjen e tij me një konflikt pronësie lidhur me apartamentin që sapo kishte blerë në Pogradec. Por të afërmit e viktimës thanë se Toni nuk kishte asnjë problem në lidhje me apartamentin, pasi kishte paguar të gjitha lekët në dorë dhe kishte marrë dokumentin e pronësisë. Nga ana e policisë u deklarua gjithashtu se personi i vrarë nuk ka pasur asnjëherë probleme me drejtësinë. Vëllai i viktimës, Arturi, thotë se ekzekutimi është i tipit mafioz dhe i mirorganizuar. Viktima ishte qëlluar dy herë me pistoletë në kokë, por siç thotë vëllai, në vendin e ngjarjes nuk u gjetën gëzhoja. "Ne nuk kemi dyshime për persona konkretë që mund ta kenë dashur të vdekur se ai nuk ka treguar asnjëherë që mund të ketë pasur probleme", thotë Artur Shyti. Për vrasjen e 36-vjeçarit kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e krimit dhe motivet e tij.

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!