Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Vendimi, 5 vjet burg per Diden, shperdoroi detyren

Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-15-2008

Ish-drejtori i policisë, gjykata rrëzon akuzat për dy vrasje

Ish-drejtori i policisë së Beratit, Ilirian Dida, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Rrethit të Beratit për akuzën e vrasjes në bashkëpunim me paramendim në dy raste, ndërkohë që është dënuar me pesë vjet heqje lirie për shpërdorim të detyrës. Ish-drejtori i policisë së Beratit në vitet 2001-2005, ka dalë dje përpara togave të zeza në gjykatën e këtij rrethi, ku është dhënë vendimi për pesë akuza. Treshja e trupit gjykues, e kryesuar nga Agron Vavla, me anëtarë Nazmi Troka dhe Kostika Çorbanaqi, vendosi shpalljen të pafajshëm të Ilirian Didës për akuzat e vrasjes në bashkëpunim me paramendim të Gjergji Gushalit dhe Dritan Zhukës, si dhe për armëmbajtje pa leje. Dida është gjetur fajtor vetëm për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shfrytëzimit të detyrës. Për këto dy akuza parashikohen dënime me pesë dhe dy vjet burg, por bashkimi i dënimeve rezultoi në vetëm me pesë vjet heqje lirie. Në nisje të seancës së djeshme gjyqësore, i pandehuri Dida u mbrojt vetë, duke thënë fjalën e fundit përpara trupit gjykues. Ai e cilësoi veten të pafajshëm në lidhje me akuzat, duke deklaruar se në krye të policisë së Beratit kishte bërë vetëm detyrën. Në lidhje me dy akuzat e vrasjes dhe konkretisht të vrasjes së Gjergji Gushalit dhe Dritan Zhukës, ish-kreu i policisë u shpreh se në të dyja rastet kishte bërë vetëm detyrën dhe nuk ishte i përfshirë në asnjërën prej tyre, ndryshe nga sa akuzohej nga Prokuroria e Beratit. Ish-drejtori i policisë i kërkoi trupit gjykues të deklarohej i pafajshëm, duke mos pranuar asnjë nga akuzat dhe i ka cilësuar ato të padrejta. Pasi ka dëgjuar fjalën e mbrojtjes, kryetari i trupit gjykues, Vavla, deklaroi vendimin për dënimin vetëm me pesë vjet burg me akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Ilirian Dida u akuzua nga Prokuroria e Rrethit të Beratit dhe ajo e Krimeve të Rënda për "vrasjen me paramendim në bashkëpunim" të Gjergji Gushalit, i cili u gjet i vrarë në dalje të këtij qyteti. Ishin familjarët e Gushalit të cilët fillimisht akuzuan Didën për vrasjen e tij, pasi ish-kreu i policisë ishte personi i fundit që kishte kontaktuar me të për nxjerrjen e një makine të bllokuar nga policia. Po kështu, prokuroria akuzoi Ilirian Didën për "vrasjen në bashkëpunim me paramendim" të Dritan Zhukës. Ky i fundit mbeti i vrarë gjatë një aksioni policie në kohën kur Dida drejtonte uniformat blu. Dy javë më parë prokuroria i kërkoi gjykatës dënimin me 22 vjet burg për akuzat e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje. Por dje gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Didën për akuzat e vrasjes dhe ta dënojë atë vetëm për shpërdorim të detyrës.

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!