Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

"Viktimat" e David Brown deshmojne me videokonference

Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-15-2008

Procedura e rrallë u përdor për të mbrojtur të miturit

Një procedurë e rrallë ajo e videokonferencës është përdorur dje në Gjykatën e Tiranës, për të marrë dëshminë e tri personave në procesin ndaj anglezit të akuzuar për pedofili, David Brown. E veçanta e kësaj seance gjyqësore nuk qëndronte thjesht te videokonferenca, por te fakti që dëshmitarët kësaj radhe nuk ndodheshin jashtë shtetit, por në një dhomë tjetër, në të njëjtin kat të ndërtesës së gjykatës, ku po zhvillohej procesi gjyqësor. Burime zyrtare nga gjykata thanë se videokonferenca ishte kërkuar nga prokurori i çështjes dhe ishte miratuar nga trupi gjykues. Arsyeja kryesore e marrjes së këtij vendimi ka qenë mosha e mitur e dëshmitarëve. Organi i akuzës i ka konsideruar ata si dëshmitarë mjaft të rëndësishëm dhe për të evituar mundësinë e trembjes apo ndikimit të tyre nga ambienti i gjyqit, nga prania e të pandehurit, avokatëve, apo edhe solemniteti i trupit gjykues, është kërkuar që ata të japin deklaratat e tyre në një ambient tjetër jashtë sallës së gjyqit.



Për të realizuar këtë procedurë gjykata kishte kërkuar ndihmën e Televizionit Publik Shqiptar, një autobus me regji të lëvizshme, i cili ishte vendosur përpara ndërtesës së gjykatës që në orët e para të mëngjesit. Tre dëshmitarët e mitur, dy djem dhe një vajzë, ishin vendosur në një sallë në katin e tretë të gjykatës, në prani të një psikologeje, ku dhe ishin montuar kamerat e televizionit. Po në këtë kat, në sallën përballë, ishte vendosur trupi gjykues, prokurori dhe i pandehuri me avokatin e tij. Të miturit, të cilët u morën në pyetje, nuk e shikonin sallën e gjyqit, ndërsa pjesa tjetër e aktorëve të procesit gjyqësor shikonin dhe dëgjonin se çfarë thoshin tre dëshmitarët.



Për shkak të vendimit të marrë që në fillim të këtij procesi, për ta zhvilluar atë me dyer të mbyllura, zyrtarisht asnjë informacion nuk është dhënë nga gjykata lidhur me deklarimet e dëshmitarëve të mitur. Por burime konfidenciale thanë se fëmijët, të cilët ishin të moshës 10, 12 dhe 15 vjeç, kanë treguar për ngacmimet dhe dhunimet seksuale që kanë pësuar gjatë qëndrimit në qendrën "Fëmijët e tij", që drejtohej nga David Brown. Të njëjtat burime konfirmuan se ata kanë përmendur si autorë të abuzimeve edhe dy anglezët e tjerë, Dino Christodoulou dhe Robin Arnold, të cilët janë arrestuar dhe pritet të ekstradohen në Shqipëri.

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!