Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Gjykata: Dida, i pafajshem per vrasjet

Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008

Ish-drejtori i Policisë së Beratit, Ilirjan Dida do të qëndrojë në burg dhe për 6 muaj të tjerë. 

BERAT

Rrëzimi i akuzave për implikimin e tij në dy vrasje të ndodhura në vitin 2001 ka bërë që Gjykata e Beratit ta dënojë me 5 vjet heqje lirie. Ky dënim është dhënë pas  një seance që ka zgjatur mbi 5 orë, duke i dhënë fund 3 viteve hetim dhe qëndrimi në qeli të Didës.
Rreth 1 muaj më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi burg me 22 vjet për ish-kryepolicin, por provat e siguruara prej saj për akuzat e rënda nuk u pranuan nga gjykata. I vetmi veprim i jashtëligjshëm i cilësuar nga trupi gjykues për Ilirjan Didën është "lejimi i transportimit të të shumëkërkuarit të ekzekutuar nga policia, Dritan Zhuka, me një makinë të zbuluar në mes të qytetit". Ky veprim, në kohën kur policinë e Beratit e drejtonte Dida bëri që ndaj tij të ngrihet akuza e shpërdorimit të detyrës. Seanca e djeshme, ku pritej vendimi përfundimtar i Gjykatës së Faktit ka nxjerrë për herë të fundit Ilirjan Didën para togave të zeza. Gjatë kësaj periudhe që Dida ka qëndruar në izolim, akuzat ndaj tij kanë qenë: "vrasje më paramendim në bashkëpunim", për Zhukën dhe Gjergji Gushalin, "shpërdorim detyre" dhe "armëmbajtje pa leje", pasi në momentin e arrestimit 3 vjet më parë iu gjet një pistoletë franceze.
Ditën e djeshme, trupi gjykues deklaroi rrëzimin e akuzave të "vrasjes" dhe "armëmbajtjes pa leje", me argumentimin e mungesës së provave dhe të pasaktësive të materialeve hetimore. Në këtë seancë, Ilirjan Dida, në mungesë të avokatit, ka bërë vetë mbrojtjen. Në rreth 90 faqe, ai ka argumentuar pse nuk ishte fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij, për vrasjen e dy personave shumë të inkriminuar në Qarkun e Beratit. Gjyqi u zhvillua me dyer të hapura, ku të pranishëm ishin shumë familjarë të Didës. Pas dëshmisë së tij, trupi gjykues është tërhequr për të dhënë dënimin që rrëzonte pjesën më të madhe të hetimit të prokurorisë.  Ndërsa ish-drejtori i policisë nuk ka bërë asnjë reagim kur u dha vendimi për dënimin e tij me 5 vjet heqje lirie, ndërsa familjarët janë shprehur të kënaqur, bazuar dhe te fakti që pas përllogaritjes së kohës së paraburgimit Didës i mbeten dhe 6 muaj burg. Gjatë seancës së djeshme asnjë nga palët nuk ka diskutuar nëse do e apelojë apo jo vendimin. Prokuroria e Krimeve të Rënda pati dorëzuar në gjykatë një dosje voluminoze, me rreth 2 mijë faqe, kryesisht dëshmi dhe ekspertiza të kryera për ngjarjet, por asnjë prej tyre nuk u pranua nga gjykata si provë e fortë për të akuzuar e dënuar Ilirjan Didën.

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!