Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Tre femijet: Si na perdhunoi “babai” anglez David Braun

Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008

TIRANE- David Braun, anglezi i burgosur për pedofili, u përball dje në Gjykatën e Tiranës me tre dëshmi kundër tij. 

Ishin tre të mitur, një vajzë 15-vjeçare dhe dy djem 11 dhe 7 vjeç, që nëpërmjet videokonferencës i shpjeguan gjykatës abuzimet seksuale që kryheshin në shtëpinë e fondacionit “Fëmijët e tij”, nga babai Braun dhe dy bashkëpunëtorët e tij, greko-anglezi Dino Christodoulou dhe skocezi Robin James Arnold. Kryeprokurorja Ina Rama gjatë një takimi me homologun e saj britanik, tha dje se Dino Christodoulou dhe Robin James Arnold do të ekstradohen së shpejti nga Anglia në Tiranë. Seanca për pyetjen e të miturve nisi rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe vazhdoi për thuajse pesë orë, ndërsa teknika për të realizuar këtë u vu në dispozicion nga Televizioni Shqiptar, i cili instaloi në gjykatë një studio lëvizëse. Të miturit u paraqitën në gjykatë të shoqëruar nga një psikologe, e cila ishte e pranishme gjatë gjithë kohës që gjykata iu drejtonte pyetjet të miturve, ku në mjaft raste ua përcillte atyre kur nuk i kuptonin. Fëmijët qëndronin në një sallë gjyqi të katit të dytë, ndërsa i pandehuri, trupi gjykues dhe prokurori në katin e katërt. Burime nga procesi që u zhvillua me dyer të mbyllura, pohuan se të miturit që u pyetën nga gjykata nëpërmjet videokonferencës dhanë deklarime kundër Braun, ndryshe nga ata që u pyetën para të pandehurit, të cilët ndoshta të sugjestionuar dhanë deklarime pro Braun. Seanca tjetër e procesit do të jetë pas dy javësh dhe gjatë saj pritet të vazhdohet me pyetjen e disa të miturve të tjerë. Pyetja e të miturve u regjistrua nëpër kaseta, të cilat në fund të procesit u administruan nga gjykata, në mënyrë që kopje të tyre t’i dorëzohen palëve nëse ato do i kërkojnë. Të miturit e pyetur dje dhanë shpjegime para trupit gjykues, duke pretenduar se Braun, veç të tjerash ishte edhe një administrues i keq i fondacionit dhe se shpeshherë fëmijët ankoheshin për dhunën e tij apo mosplotësimin e kushteve jetësore. Anglezi 52-vjeçar po gjykohet i vetëm në Gjykatën e Tiranës, pasi dosja fillestare në ngarkim të tij është ndarë në tri pjesë. Në të parën u gjykua Janaq Papaleka, 33 vjeç nga Erseka, ish-kuzhinier i fondacionit i akuzuar për “moskallëzim krimi”. Ky person ka pranuar faktin se kishte dijeni se në mjediset e fondacionit bamirës “Fëmijët e tij” kryheshin abuzime seksuale me fëmijët që ishin strehuar aty, por që nuk kishte denoncuar. Ndërsa në një tjetër proces, i cili tashmë është i pezulluar, do të gjykohen dy bashkëpunëtorët e Braun, greko-anglezi Dino Christodoulou dhe skocezi Robin James Arnold. Këta dy të pandehur aktualisht ndodhen të arrestuar në Londër për llogari të autoriteteve shqiptare të drejtësisë, ndërsa Gjykata e Faktit në kryeqytetin britanik ka vendosur ekstradimin e tyre në Tiranë, për të qenë të pranishëm në procesin gjyqësor. Tashmë pritet vendimi i Apelit.

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!