Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Athine, ekzekutohen 3 shqiptare

Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008

Tre shqiptarë u ekzekutuan dje në mbrëmje, në një lokal në qendër të Athinës.

Dy prej tyre dyshohet se ranë viktima të një atentati që ka pasur si shkak larjen e hesapeve, lidhur me trafikun e drogës. Shqiptari i tretë, nga Mirdita, sipas policisë është ndodhur rastësisht në lokalin ku ndodhi krimi. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në lokalin e një emigranti shqiptar në lagjen “Aliviodhu 52” në qendër të kryeqytetit grek, kur tre persona të pa identifikuar qëlluan mbi 20 herë me armë zjarri në drejtim të dy shqiptarëve, duke i vrarë ata bashkë me një shtetas rumun dhe një shqiptar të pranishëm në vendngjarje. Ky i fundit, sipas policisë quhet Fluturim Lala, një emigrant shqiptar nga Mirdita i punësuar në Greqi. Shërbimet e policisë, të cilat kanë filluar hetimet në vendin e ngjarjes, thanë se atentatorët kishin përdorur armë zjarri automatike “Kallashnikov” dhe një pistoletë, pasi zbritën nga një makinë. Pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, një emigrant nga Shqipëria tha mbrëmë se nuk kishte konflikte me autorët e krimit. Televizioni shtetëror grek, dje në mbrëmje dha një version tjetër të ngjarjes, sikur viktimat janë qëlluar me armë nga një person i vetëm, i cili është larguar me motor. Policia është vënë në ndjekje të autorëve të ngjarjes pa mundur t’i ndalojë ata deri pas mesnatës.
Atentati
Fluturim Lala, njëri nga tre shqiptarëve e vrarë, ka qenë duke hyrë bashkë me punëdhënësin grek në lokalin ku ndodhi krimi. Në këtë kohë, një makinë ka ndaluar përpara hyrjes së lokalit. Tre persona të armatosur kanë zbritur nga automjeti. Ata janë drejtuar për në brendësi të lokalit dhe menjëherë kanë hapur zjarr me breshëri në drejtim të tavolinës, ku ndodheshin dy shqiptarë, të cilët gjetën vdekjen në vend. Si pasojë e të shtënave të shumta, është vrarë edhe një shtetas rumun, i cili ndodhej rastësisht në lokal si dhe shqiptari i tretë, Fluturim Lala, emigrant nga Mirdita. Punëdhënësi i tij, i cili mësohet se do t’i paguante rrogën e radhës emigrantit shqiptar një shumë prej 50 euro, ka arritur të shpëtojë nga plumbat e atentatorëve. Ai është marrë në pyetje nga policia menjëherë pas ngjarjes. “Mund të më vrisnin edhe mua, nuk e kam të qartë si kam shpëtuar. Unë dhe emigranti shqiptar që punonte për mua, ndodheshim rastësisht në lokal, sapo kishim hyrë. Kam parë tre persona që zbritën nga një makinë dhe me armë në duar hynë duke u drejtuar nga tavolina ku ishin dy persona. Qëlluan me breshëri në drejtim të tyre”, ka thënë punëdhënësi grek i emigrantit shqiptar. Ai ka pohuar se vrasësit mund të kenë pasur ndonjë larje hesapesh me dy shqiptarët që ndodheshin në lokal, ndërsa kanë ekzekutuar edhe shqiptarin e tretë dhe shtetasin rumun, për shkak se qëlluan me breshëri. Sipas rrëfimit të dhënë në polici nga dëshmitari i ngjarjes, autorët e krimit nuk ishin larguar nga lokali derisa u siguruan për vdekjen e shqiptarëve. Ekzekutorët, sipas policisë, kanë qenë të mirinformuar për vendndodhjen e dy shqiptarëve, që ishin objekt i vrasjes. Policia po heton në pistën e një larje hesapesh mes shqiptarëve për shkak të mosmarrëveshjeve, lidhur me trafikun e drogës.

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!