Gazeta Shqiptarelajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online |
|
- Publikimi...
Rreth lajmit...
- Titulli: Korrupsioni, shkarkohet komandanti i repartit “Delta-Force” ne Vlore
Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008
- Lajmi...
Korrupsioni, shkarkohet komandanti i repartit “Delta-Force” ne Vlore
TIRANE – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, firmosi dje shkarkimin nga detyra për komandantin e repartit të policisë “Delta-Force” në Vlorë.
Lajmi konfirmohet nga burime të policisë të cilat thanë se, kryepolici Ahmet Prençi ka firmosur largimin nga detyra për nënkomisarin Robert Shamo, i cili akuzohet për korrupsion dhe mitmarrje. Sipas burimeve zyrtare, shkarkimi i kreut të repartit “Delta-Force” është bërë në zbatim të vendimit të Gjykatës së Vlorës dhënë rreth një muaj më parë për këtë çështje. Togat e zeza kishin vendosur largimin nga detyra për zyrtarin e policisë, pas provave të paraqitura nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria e Vlorës. Sipas burimeve të policisë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kishte filluar hetimet për abuzime korruptive me detyrën nga komandanti i repartit “Delta-Force” në Vlorë, Robert Shamo. Gjatë këtyre hetimeve, sipas burimeve mësohet se oficerët e SHKB-së kanë dokumentuar një rast kur nënkomisari ka marrë 2 mijë euro ryshfet nga një efektiv policie, vartës i tij që duhej larguar nga detyra. “Në këmbim të mosshkarkimit nga detyra, Robert Shamo ka marrë 2 mijë euro nga efektivi i policisë”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, hetimet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Prokurorisë së Vlorës kanë zbuluar se, nënkomisari i shkarkuar dje nga detyra, kishte abuzuar edhe me servisin e makinave të repartit “Delta-Force” në Vlorë. Sipas hetimeve, i shkarkuari hartonte fatura fiktive sikur makinat e policisë ishin paraqitur në servise të ndryshme për shërbime riparimi, ndërsa paratë “e harxhuara” me këtë shërbim, dyshohet se janë përfituar nga zyrtari i policisë. Sipas hetimeve, në pjesën më të madhe të rasteve makinat nuk janë dërguar fare në shërbimin e servisit edhe pse paratë janë faturuar dhe paguar, sikur një veprim i tillë të ishte kryer vërtet. Pas zbulimit të këtyre veprimeve korruptive të zyrtarit të policisë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka referuar dosjen përkatëse në Prokurorinë e Vlorës. Ky institucion ka vijuar më tej hetimet, duke provuar të tjera abuzime nga zyrtari i policisë për të cilin i është kërkuar gjykatës shkarkimi nga detyra. Rreth një muaj pas vendimit të togave të zeza, kreu i policisë shqiptare ka vendosur shkarkimin e të pandehurit për korrupsion dhe mitmarrje.
- Opinioni juaj...