Gazeta Shqiptarelajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online |
|
- Publikimi...
Rreth lajmit...
- Titulli: Skandali i Kasharit, furtune ne Qark
Publikuar nga Gazeta Koha Jone me 05-15-2008 - Titulli: Ekspertiza: Denoncuesi i "mafies se tokave" u vra
Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-15-2008 - Titulli: Kashari, ekspertiza gaboi me deshmitarin
Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008
- Lajmi...
Kashari, ekspertiza gaboi me deshmitarin
Ekspertiza që klasifikoi vdekjen e Gani Kamberit si vetëvrasje, ka qenë e pasaktë.
Trazhgim Sokolaj
Një ditë pas zhvarrosjes së trupit të 50-vjeçarit që denoncoi “grabitjen” e pronave në Kashar, Prokuroria dyshon se ekspertiza që e konsideroi ngjarjen e 14 tetorit 2007 si vetëvrasje, ka pasur mangësi të dukshme. Në mesin e muajit tetor 2007, vetëm pak ditë pasi kishte dëshmuar në Prokurori për skandalin e vjedhjes së pronave nga krerët e Komunës së Kasharit, Gani Kamberi u gjet i vdekur pranë shtëpisë së tij. Ngjarja u mbyll brenda pak ditëve, duke u konsideruar vetëvrasje në bazë të ekspertizës së bërë nga një mjek ligjor. Ai dyshohet se ka gabuar në këqyrjen e kufomës, duke e klasifikuar ngjarjen si vetëvrasje kur në fakt, mekanizmi i krimit ngjan me një vrasje të pastër. Pas denoncimit të familjarëve të Gani Kamberit, të cilët pohuan se ai ishte vrarë, Prokuroria urdhëroi zhvarrimin e trupit të 50-vjeçarit nga Kashari. Trupi i tij është zhvarrosur tri ditë më parë dhe po verifikohet në morgun e Tiranës. Prokuroria tani ka urdhëruar që riekspertimin të bëhet nga një komision me tre mjekë ligjorë, me qëllim shmangien e ndonjë gabimi të mundshëm. Sipas të dhënave të para, është konfirmuar se hyrja e plumbit që i mori jetën Gani Kamberit është në anën e majtë të pjesës së pasme të kokës së 50-vjeçarit. Hetuesit e konsiderojnë këtë si një tregues që flet më tepër për vrasje, ndërsa rrëzon çdo mundësi që viktima të ketë qëlluar veten me armë.
Provat kontradiktore
Në ndihmë të kësaj piste, shkon edhe fakti se banorët e zonës kanë dëgjuar mbrëmjen e 14 tetorit 2007, dy krisma arme në vendin ku u gjet i vdekur Gani Kamberi. Sipas Prokurorisë, plumbi në kokë ka qenë vdekjeprurës për dëshmitarin e grabitjes së tokave, i cili duket se nuk ka pasur asnjë shans të qëllonte dy herë me pistoletë. Mirëpo, sipas të dhënave që ndodhen në dosje, mësohet se nga verifikimi, Gani Kamberit i janë gjetur pas vdekjes faktorët plotësues të qitjes me armë në dorën e djathtë. “Nga verifikimi i kryer janë gjetur gjurmë baruti në dorën e djathtë të viktimës”, thanë burimet nga hetimi, duke sqaruar se në rastet kur qëllohet me pistoletë gjurmë të tilla mbeten në rrobat dhe në duart e personit që ka shkrehur armën. Pavarësisht provave të zbuluara deri më tani, të cilat duken kontradiktore, Prokuroria i ka kërkuar policisë të pyesë 26 dëshmitarë që kanë dijeni mbi ngjarjen. Mes tyre ndodhen familjarët e vetë Gani Kamberit, të cilët thonë se 50-vjeçari kishte denoncuar shitjen e tokës, pa dijeninë e tij, nga krerët e komunës. Sipas familjarëve të viktimës, Gani Kamberi ishte konfliktuar deri në konfrontim fizik me Xhevahir Hykën, njëri nga personat që u arrestua bashkë me tre ish-krerët e komunës me akuzën se kanë shitur me dokumente false e padijeninë e pronarëve mbi 18 hektarë tokë në zonën e Kasharit. Prokuroria i ka kërkuar policisë të marrë në pyetje të afërmit e Xhevahir Hykës, ndërsa mësohet se edhe atij do t’i kërkohen sqarime për konfliktin që ka pasur me Gani Kamberin.
Grabitja e pronës
Tre ish-krerët e Komunës Kashar dhe bashkëpunëtorët e tyre, mësohet se kishin shitur tek persona të tretë 9 mijë metra tokë të Gani Kamberit pa dijeninë e tij. Pasi denoncoi skandalin, 50-vjeçari mësoi se edhe trualli ku ndodhej shtëpia e tij ishte shitur pesë herë përmes falsifikimit të dokumenteve.
- Opinioni juaj...