Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Kryeprokurori anglez: Do ekstradojme kedo qe ka kryer krime ne Shqiperi

Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008

TIRANE - "Jemi të vendosur për të mos u lënë vend në Mbretërinë e Bashkuar shqiptarëve apo dhe shtetasve britanikë që kanë kryer krime në Shqipëri". 

Kështu deklaroi dje Ken Macdonald, kryeprokurori anglez gjatë një takimi që zhvilloi me homologen shqiptare Ina Rama, ku veç të tjerash pohoi faktin se dy institucionet kanë pasur bashkëpunime të suksesshme dhe shpresohet të vazhdohet në të njëjtën mënyrë në të ardhmen. "Lufta kundër krimit nuk duhet të njohë kufi. Të gjitha prokuroritë duhet të jetojnë si një e vetme", pohoi Macdonald më tej gjatë takimit, në të cilin ishte i pranishëm edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Fraser Wilson. Ndërsa kryeprokurorja shqiptare Ina Rama, duke e falënderuar për ndihmën e qeverise britanike, pohoi se kjo ndihmë ka konsistuar veçanërisht te financimi i qendrës së përgjimeve i instaluar pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, tek trajnimet e prokurorëve dhe hetuesve apo te këmbimi i informacioneve në raste investigimesh.
Kryeprokurorja tha më tej se autoritetet angleze kanë ofruar bashkëpunim të mirë në ekzekutimin e letër-porosive reciproke, investigimet që lidhen me krimin e organizuar me karakter ndërkombëtar, apo në çështje që lidhen me ekstradime shqiptarësh apo britanikësh. Rama përmendi disa shqiptarë të arrestuar në Angli, që u sollën me pranga në Tiranë për të vuajtur dënimet si dhe rastin e dy anglezëve të akuzuar për pedofili, që pritet të ekstradohen së shpejti. Duke folur për raste konkrete, Rama përmendi ekstradimin e të shumë-kërkuarve Edmod Ulaj, Gë-zim Çala, Bashkim Xhika; ndërsa veçoi bashkëpunimin për zbardhjen e çështjes së Rizvan Matraxhiut nga Durrësi, i akuzuar për vrasje, që përfundoi me dënimin e tij. Për zbardhjen e ngjarjes dhe përfundimin me sukses të procesit nga autoritetet britanike, u shpenzuan rreth 1 milion dollarë. "E përmenda këtë shifër për të treguar sa shtrenjtë mund të kushtojë ulja e fajtorëve në bankën e të akuzuarve dhe vendosja e drejtësisë në shtetet ku sundon vërtet shteti i së drejtës, pohoi kryeprokurorja shqiptare. Më tej, Rama e njohu homologun britanik me sistemin e drejtësisë në Shqipëri, prokurorinë dhe gjyqësorin, arritjet, mangësitë dhe sfidat e tij në kuadër të reformave ligjore.          

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!