Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

I fejohet e dashura, pi fostoksine

Publikuar nga Gazeta Panorama me 05-15-2008

Vetëhelmohet studenti nga Struga që studionte në vitin e parë të degës Informatikë në Tiranë. 


 Vullnet Diko, 19 vjeç, duket se ka imituar personazhin e famshëm të Romeos në tragjedinë e Shekspirit, pasi humbi të dashurën e tij, e cila mësohet se është fejuar vetëm një javë më parë me një person tjetër. Shkakun e vetëhelmimit studenti 19-vjeçar e ka sqaruar edhe në një dokument të shkruar në kompjuterin e tij portativ, në rreth tri faqe kompjuterike në programin e shkrimit. Nga verifikimi i kryer prej ekspertëve, mësohet se shkaku i vetëhelmimit lidhej me fejesën e të dashurës së studentit javën e kaluar. Pasi kishte mësuar për këtë, 19-vjeçari nga Struga me banim në zonën "Ali Demi" në Tiranë, i ka dhënë fund jetës duke pirë fostoksinë. Ngjarja ndodhi mesnatën e të martës rreth orës 23:30, në banesën e marrë me qira nga studenti. Ai ka konsumuar disa tableta fostoksine kur ndodhej në gjendje të rënduar emocionale, shkaktuar prej faktit se kishte humbur të dashurën. Sipas burimeve të policisë, 19-vjeçari ka konsumuar helmin në shtëpinë ku banonte i vetëm që prej tetorit 2007. Vullnet Diko mësohet se kishte banuar i vetëm në shtëpinë e marrë me qira që nga koha kur kishte mbërritur në Tiranë dhe kishte filluar studimet në vitin e parë në Informatikë. Pak kohë pasi kishte konsumuar lëndën helmuese, kur ajo ka filluar të bënte efektin e saj, Vullneti i ka telefonuar disa shokëve të tij për të kërkuar ndihmë. Ata kanë mbërritur në shtëpinë e studentit nga Struga dhe menjëherë e kanë nisur atë për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, ku 19-vjeçari ka marrë ndihmën e parë pa arritur të mbijetojë. Në spital ka mbërritur edhe policia, e cila është njoftuar nga personeli mjekësor. Policia qëndroi edhe në banesën e studentit, ku janë bllokuar disa qese farmaceutike ku është mbajtur fostoksina si dhe kompjuterin personal në të cilin viktima kishte shprehur motivin e vetëhelmimit.
Hetimi i ngjarjes
Hetimi për shkakun e vetëhelmimit nuk ka qenë i vështirë për policinë. Në kompjuterin e viktimës, student i vitit të parë në degën e Informatikës, 19-vjeçari kishte sqaruar gjithçka. Një dokument prej rreth tri faqesh kompjuterike me rreth 150 radhë shkrim, sqarohej në mënyrë të detajuar fejesa e të dashurës së Vullnet Dikos, të cilën studenti duket se e kishte përjetuar në mënyrë dramatike. Dokumenti është ruajtur nga hetuesit në kompjuter dhe, madje një kopje e tij është printuar dhe është shënuar në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes. Policia, veç këtij veprimi, ka marrë deklarimet e disa shokëve dhe miqve të studentit, të cilët ai i kishte telefonuar pasi konsumoi helmin, kur ndodhej në çastet e fundit të jetës. Ata kanë pohuar se Vullnet Diko u kishte telefonuar dhe u kishte kërkuar ndihmë. Sipas moshatarëve të viktimës, 19-vjeçari gjatë javës së fundit ka qenë në gjendje jo të mirë emocionale, ka qëndruar i vetëm dhe ka munguar në shkollë për disa ditë. Dje në mesditë, mjekët ligjorë kanë përfunduar aktin e autopsisë së studentit, duke konfirmuar se vdekja ka ardhur nga përdorimi i fostoksinës. Mjekët pohuan se helmi ka vepruar në mënyrë të shpejtë, duke shkaktuar edhe de-përtimin e lëndës vdekjeprurëse në gjak. Raporti i ekspertëve mjeko-ligjorë i është bashkangjitur dosjes hetimore të hapur nga policia për këtë ngjarje. Prokuroria pritet të kryejë edhe veprime të tjera hetimore e procedurale, për të realizuar zgjidhjen ligjore të ngjarjes.

Flet babai: S`kisha dijeni për ndonjë lidhje intime të djalit

TIRANE - Paraditen e djeshme në morgun e Tiranës ka mbërritur edhe Hiqmet Diko, babai i studentit të vetëhelmuar Vullnet Diko. Babai i viktimës shoqërohej edhe nga anëtarë të tjerë të familjes së tij. Trupi i të riut është mbajtur në morg prej orëve të para të mëngjesit deri rreth orës 13:00, kur edhe është tërhequr nga të afërmit. Hiqmet Diko përpara se të tërhiqte trupin e të birit, ka pohuar për gazetën "Panorama", se miq të afërm të tij, i kishin telefonuar duke i treguar ngjarjen me të birin, ndërsa i kishin thënë se nuk ishte mirë. "Më thanë se duhej të vija në Tiranë dhe u nisa menjëherë për në Shqipëri", tregon ai. Diko pohon se kur ka mbërritur në Shqipëri bashkë me të afërm të tjerë, ka marrë vesh se i biri kishte ndërruar jetë. "Sapo mbaruan procedurat e mjekëve dhe tashmë duhet të nisemi për në Strugë". Pavarësisht asaj që ka ndodhur, Hiqmet Diko ka pohuar se nuk dinte ndonjë motiv të saktë mbi shkakun e vetëhelmimit të djalit të tij. Babai tha se nuk dinte për ndonjë lidhje dashurie të djalit, duke hedhur poshtë kështu mundësinë që një gjë e tillë të ketë qenë shkak i ngjarjes. Për të përcjellë trupin e studentit shqiptar nga Struga, në Institutin e Mjekësisë Ligjore kanë mbërritur dje edhe shokët e viktimës, studentë të Informatikës dhe disa të tjerë nga Maqedonia, që studiojnë në Tiranë. Ata janë përshëndetur dhe falënderuar nga babai i studentit. "Ju falënderoj dhe ju pres në Strugë", iu pohoi Hiqmet Diko shokëve të të birit, që kishin përgatitur për të një tufë lulesh në lamtumirën me 19-vjeçarin.   d.b

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!