Gazeta Shqiptare

lajme shqip, gazeta online, gazeta shqiptare online

(harruat?)

Rreth lajmit...

Tirana i dhuron Teutes "play-out"

Publikuar nga Gazeta Shqip me 05-15-2008

Teuta bën gjysmën e rrugës drejt mbijetesës, e përkthyer ndryshe, skuadra e drejtuar nga Kristaq Mile ka evituar rënien direkte nga Kategoria Superiore dhe tashmë do të zhvillojë një ndeshje "play-out". Pikërisht kjo sfidë do të jetë sforco e fundit për bregdetarët, për të qëndruar mes skuadrave elitare në vend. Ata tashmë renditen në vendin e nëntë, falë golavarazhit më të mirë se Kastrioti, por mbi të gjitha falë "dhuratës" së Tiranës: Teuta fitoi 2-1 në "Selman Stërmasi" përballë bardhebluve. Çota ishte lojtari që në të 17-ën zhbllokoi rezultatin, ndërkohë që kur kronometri shënonte 60 minuta lojë, Dushku shënoi golin deçiziv për "djemtë e detit", vetëm pak sekonda pas barazimit të përkohshëm të Daniel Xhafajt. Me këtë rezultat të besuarit e Sulejman Memës regjistruan humbjen e katërt radhazi në kampionat, duke vazhduar të vendosin rekorde negative në atë që është sezoni më i dobët në historinë e klubit. Bardheblutë jo vetëm që janë jashtë garës për një vend në Kupat e Evropës, por tashmë e shohin veten në vendin e gjashtë në klasifikim, të parakaluar edhe nga Shkumbini. Java e 32-të ka sjellë edhe "lamtumirën" e Indrit Fortuzit nga futbolli i luajtur. Së bashku me të largohet një nga pjesët më të bukura të historisë së Tiranës dhe tifozët kanë treguar dashurinë e tyre me banderolat "Zogu Perandori i Fundit" apo "Tiranës i duhen më shumë Fortuzë". Në stadium janë shfaqur edhe parulla kundër donatorëve, të cilët cilësohen si përgjegjësit kryesorë për shpërfytyrimin e skuadrës. Ato mbanin firmën e grupimit "Tirona Fanatics", por janë hequr menjëherë, pas ndërhyrjes së forcave të rendit.

Kategoria Superiore / Java 32


Rezultatet

Vllaznia - Dinamo 0-3

Ishka 47‘, Pema 58‘, Daja 87‘

Partizani - Skënderbeu 2-0

Muzaka 28‘, Bakaj 31‘

Besa - Besëlidhja 2-0

Xhihani 14‘, 90‘+2‘

Tirana - Teuta 1-2

Xhafaj 59‘ / Çota 17‘, Dushku 60‘

Elbasani - Kastrioti 5-2

Gallo 45‘+2‘ (ag), Nenaj 53‘, E.Dalipi 72‘, Arb.Nuhiu 73‘, Bejzade 87‘ / Rizvanolli 85‘, Shameti 90‘+2‘

Shkumbini - Flamurtari 1-0

K.Dalipi 11‘



KLASIFIKIMI

Skuadra N P

1. Dinamo 32 67

2. Partizani 32 65

3. Besa 32 53

4. Elbasani 32 51

5. Shkumbini 32 47

6. Tirana 32 46

7. Vllaznia 32 45

8. Flamurtari 32 43

9. Teuta 32 35

10. Kastrioti 32 35

11. Besëlidhja 32 31

12. Skënderbeu 32 11


* Besëlidhja dhe Skënderbeu bien në Kategorinë I

** Teuta dhe Kastrioti luajnë në "play-out"

Ju lutemi beni hyrje me llogarin tuaj qe te komentoni!